Në fshatin Kuç, që po ashtu është pjesë e Njësisë Administrative të Horë -Vranishtit banorët tregojnë se Beleri kishte shkuar për të bërë fushatë. Ajo që binte në sy në këto rrëfime ishte fakti se këto takime zhvilloheshin kryesisht pasdite vonë ose natën.

“Ka ardhur në Kuç, ka bërë fushatë fshehurazi jo faqe, ka vajtur te persona që e di që nuk qenë socialist për shembull, u ka blerë votën dhe iku. Ka dhënë para, këtë ka bërë Fred Beleri”, u shpreh një nga banorët e fshatit Kuç.

“Ka ardh 3-4 herë po vijnë natën o vlla duke u lidhur me ca persona negativë më shumë në krahasim me socialistat se gjithë në një fshat jemi. Po lidhjen më shumë e kishte me Vranishtin dhe Kallaratin”, tha banori i fshatit Kuç.
“Jemi aq mirë sa na do greku, jo s’është për të qeshur, është për të qarë”, tha për Inside Story banori i moshuar nga Kuçi.

Banorët e këtij fshati thonë se kanë dëgjuar edhe për episode që flasin për dhënie parash në këtë zone nga ekipi i Belerit. Nuk dihet nëse janë marrë dëshmi, por këto denoncime publike mund të jenë indicie për prokurorinë të zgjerojë më tej hartën e zonës së hetimit. “Saktësisht nuk e dimë po 100 euro e lart”, u shpreh nje tjetër banor.