Këtë fundjavë, Sali Berisha zhvilloi një komunikim me ndjekësit e tij në Facebook, ku u përball me pyetjen nëse duhet të krijojë një parti të re, pas pengesave ligjore që hasi PD e rithemelimit në zgjedhjet vendore të 14 majit.
“Për herë të parë në histori, forca kryesore opozitare futet në zgjedhje pa logon e saj, pa vulën e saj. Kandidatët e saj futen në zgjedhje me zero financime. Të gjitha këto për të zhdukur një forcë që qëndron për vlerat dhe sovranitetin. Unë ju kuptoj për shqetësimin që keni, por mendoj se misioni ynë duhet të vazhdojë”, tha Berisha.
PD do të kalojë sërish në një proces hapje si parti, pohoi Berisha, duke theksuar se është duke punuar personalisht për këtë çështje pas kërkesave të shumta nga demokratët. Kreu i PD së rithemelimit ftoi të gjithë anëtarësinë të kontribuojnë me propozimet e tyre për riorganizimin e kësaj force politike duke përfshirë edhe pjesë tjetër që nuk e mbështet Berishën.
“Shumicë demokratë dhe jodemokratë mendojnë se PD ka nevojë për një proces hapje të madhe dhe riorganizimi dhe unë jam plotësisht dakord me ta dhe i garantoj se personalisht do bëj çdo gjë në këtë proces. Mirëpres gjithë anëtarësinë. Zëri do dëgjohet, propozimet do të përfilllen. Asnjë pengesë që përmes procedurave statutore të bëjmë zgjedhjet më të mira”, tha Berisha.
Sali Berishën e kanë dëgjuar të thotë se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje të lira, por cila është zgjidhja për ardhjen e tyre në pushtet, teksa Rama do kërkojë një mandat të katërt e demokratët nuk njohin zgjedhjet e sapombyllura për pushtet vendor.
“E vërteta është se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje dhe nëse nuk përballemi, ky, pasi e ka shpallur Kodin Zgjedhor një kinezëri, me votë nuk ikën kurrë nga pushteti”, u shpreh Berisha. “Si ish-kryeministër ju garantoj se në rast se një kryeministër vendos të mos dorëzojë pushtetin me votë atij pushteti nuk i merret. Rrëzohet me protesta dhe vetëm me protesta”.