Puna e bërë deri më tani me portalin opendata.gov.al, risitë që ai ka sjellë si dhe gjithçka që është planifikuar për ta zhvilluar e përmirësuar edhe më tej këtë portal, ishin pikat kryesore të prezantimit që Drejtoresha e Inovacionit dhe Promovimit të e-Gov, Romina Kostani, bëri sot në Konferencën e 5-të Kombëtare, “E drejta për Informim, Transparencë, Digjitalizim”, që u organizua nga Komisionieri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
“Me funksionimin efikas të Open Data, Shqipëria po i jep edhe një mundësi më tepër vetes për të qenë pranë elitës evropiane në fushën e digjitalizimit, një proces që tashmë ka nisur intensivisht 10 vite më parë me e-Albania e që AKSHI po e çon fuqishëm vit pas viti në një rrugë progresive e të pakthyeshme. Angazhimi për ngritjen dhe pasurimin e mëtejshëm të portalit Open Data me të dhëna ka qenë ndër vite pjesë e Planeve Kombëtare të Veprimit për Partneritetin për Qeverisje të Hapur, nën komponentin e qeverisjes digjitale”, tha Kostani, e cila më pas e vuri theksin edhe te Plani Kombëtar i Veprimit OGP 2023 – 2025, miratuar së fundmi nga qeveria, e tek mbështetja në eksperiencën e vendeve më të zhvilluara, përmes të cilave do të synohet që Open Data të pasurohet me më shumë të dhëna, të bëhet edhe më e aksesueshme, më e integruar me teknologjitë inovative. Kjo do të shoqërohet dhe me një fushatë të gjerë promovuese për portalin dhe të dhënat e disponueshme në të, me qëllim informimin dhe përfshirjen e qytetarëve, bizneseve, akademisë, kërkuesëve, organizatave të shoqërisë civile, etj., në aksesimin dhe shfrytëzimin e të dhënave të hapura. 24- Open data and Re-use of Public Sector Information) të përfshirë në kapitullin 10 “Shoqëria e Informacionit dhe Media”, ku AKSHI është në rolin e bashkënegociatorit. Bazuar tek ky ligj e kjo direktivë po vijohet procesi për hartimin dhe miratimin e disa akteve nënligjore brenda vitit 2023, ndërsa do të zhvillohen aktivitete sensibilizuese për promovimin e të drejtave dhe detyrimeve të parashikuara nga ky ligj brenda viteve 2023-2024.
“Planet tona në dy vitet e ardhshme do të nisin nga kryerja e një Vlerësimi Gatishmërie për të Dhënat e Hapura, çka do të na mundësojë të kemi një pasqyrë të saktë të të dhënave të hapura në çdo institucion. Falë zbatimit të standardeve, informacioni që do të publikohet në Open Data do të jetë më cilësor, teknikisht i saktë dhe lehtësisht i aksesueshëm dhe i ripërdorshëm”, saktësoi Drejtoresha e Inovacionit dhe Promovimit të e-Gov.
Portali Open Data është ndërtuar në zbatim të legjislacionit në fuqi ndërsa së fundmi, kemi një ligj të mirëfilltë për përdorimin e të dhënave të hapura dhe të drejtën e ripërdorimit, me qëllim nxitjen e inovacionit në produkte dhe shërbime.
AKSHI mban peshën kryesore të ngritjes së platformës dhe funksionimit të saj teknikisht, por vetëm falë bashkëveprimit institucional, prej vitit 2018 po bëhet e mundur që Open Data të shërbejë si një dritare e hapur e kategorizimit dhe katalogizimit të punës dhe veprimtarisë së shtetit shqiptar përballë publikut. Nga ana tjetër, kemi një portal të dedikuar për iniciativën globale të Partneritetit për Qeverisje të Hapur https://ogp.gov.al/, ku Shqipëria është pjesë prej 12 vitesh tashmë. Portali Open Data ofron më shumë se 90 grupe të dhënash në fushat e shëndetësisë, arsimit, sigurisë publike, buxhetit, e-qeverisjes, etj.
Sistemet e ngritura elektronike, të lidhura përmes rrjetit qeveritar GovNet, jo vetëm shkëmbejnë të dhëna falë Platformës Qeveritare të Ndërveprimit por bëjnë gjithashtu të mundur që, veç ofrimit të shërbimeve në e-Albania dhe në portalin OpenData, të publikohen automatikisht të dhëna të hapura që vijnë nga vetë këto sisteme.
Pjesë integrale e Open Data është edhe Regjistri Elektronik për Njoftimet dhe Konsultimet Publike, si një aset i çmuar kur bëhet fjalë për ftesën e hapur që institucionet i bëjnë publikut, në mënyrë që çdo projekt, akt apo ndryshim ligjor më parë të kalojë për diskutim me publikun e gjerë apo grupet e interesit. AKSHI shpreh sigurinë e plotë se të gjitha institucionet publike shqiptare do të ecin në rrugën e përbashkët të e-qeverisjes së mirë, transparente, të drejtë. Vetëm kështu Shqipëria do të zhvillohet më tej në rrugën e saj drejt familjes evropiane.