45 persona janë arrestuar nga policia ndërkohë që 7 të tjerë janë shpallur në kërkim gjatë operacionit të finalizuar në orët e para të mëngjesit të sotëm në Elbasan dhe disa qytete të tjera përreth.

Në konferencën për gazetarët Ilir Proda, drejtori i Policisë së Elbasanit bëri me dije se gjatë kontrolleve janë sekuestruar 1 kg e 311 gram kokainë, 86 gram heroinë, 1 kg kanabis, një armë zjarri, sasi municioni luftarak si një shumë monetare 51 mln lekë, 15 mijë euro dhe një sasi frangash zviceriane.

Sipas policisë, nga hetimet tremujore është zbuluar se grupet kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike kishin ndarë territorin ku vepronin në zona të ndryshme.

“Për një periudhë hetimore strukturat hetimore kanë analizuar detajet e mbledhura nga inteligjenca për një shtrirje kohore prej disa vitesh. Janë administruar në vazhdimësi incidiet dhe provat e reja që siguroheshin. U bë e mundur dokumenti i përfshirjes në aktivitet kriminal të 52 personave për trafik dhe shitje të lëndëve narkotike. Drejtuesi i prokurorisë Elbasan ka nxjerrë 52 urdhra ndalimi që janë ekzekutuar mëngjesin e sotëm.

Gjatë operacionit të sotëm në disa qytete u angazhuan 4902 punonjës policie, u kontrolluan 52 banesa, 18 lokale. Janë ndaluar 45 shtetas dhe 7 të tjerë janë shpallur në kërkim. Gjatë kontrolleve policia ka gjetur 1 kg e 311 gram kokainë, 86 gram heroinë, 1 kg kanabis, mijëra doza kokainë, heroinë, kanabis të sekuestruara gjatë hetimit, një armë zjarri, sasi municioni luftarak si një shumë monetare 51 mln lekë, 15 mijë euro dhe një sasi frangash zviceriane. Janë proceduar 29 shtetas të tjerë. Këta shtetas ushtronin veprimtari kriminale në shitjen dhe prodhimin e lëndëve narkotike.

Ata kishin ndarë zonat e influencës ku ushtronin aktivitetin kriminal, 11 prej tyre kanë qenë të dënuar në fushën e lëndëve narkotike, 15 të tjerë për vepra të tjera penale. 10 shtetas janë pjesë e grupeve kriminale. Është goditur plotësisht një grup kriminal dhe janë goditur pjesërisht tre grupe të tjera kriminale”, deklaroi Proda.