Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky dëshiron një mesazh të qartë nëse Ukraina mund të anëtarësohet në NATO kur të përfundojë lufta me Rusinë.
Përmes një konference për shtyp, Zelensky tha se: “Ne e kuptojmë se nuk mund të jemi anëtare të NATO-s gjatë luftës, por duhet të jemi të sigurt se pas luftës do të jemi. Ky është sinjali që duam të marrim – që pas luftës Ukraina do të jetë anëtare e NATO-s.” Më herët, gjatë fjalës së mbajtur para parlamentit në Ditën e Kushtetutës së Ukrainës, Zelensky tha se liderët globalë duhet të ndalojnë së menduari se si do të reagonte Moska kur të merrnin vendime për Ukrainën.
Presidenti ukrainas ishte shpresëplotë se Kievi do të marrë garanci sigurie për të ndihmuar në mbrojtjen e vendit derisa të pranohet si një anëtar i aleancës ushtarake perëndimore. Ukraina dëshiron të anëtarësohet sa më shpejt të jetë e mundur, por aleanca është e ndarë se sa shpejt duhet ndërmarrë ai hap. Qeveritë perëndimore, përfshirë SHBA-në dhe Gjermaninë, janë të kujdesshme se mund ta çojnë aleancën më afër hyrjes në një luftë aktive me Rusinë. Moska e ka parë prej kohësh zgjerimin e NATO-s në Evropën Lindore si dëshmi të armiqësisë perëndimore.