Ish-presidenti i SHBA, Donald Trump është shoqëruar për në gjykatën e Floridas, ku edhe me pas eshte arrestuar, raporton CNN.
“Donald Trump dhe ndihmësi i tij i ngushtë Walt Nauta janë të arrestuar në gjykatën amerikane Wilkie D Ferguson Jr në Miami, përpara se të njihen me aktpadinë për akuzat federale në lidhje me dokumentet e klasifikuara të qeverisë të gjetura në Mar-a-Lago”, shkruan CNN.
Sipas CNN nuk pritet që Trump të kalojë natën në qeli pasi ai do të lirohet me kushtin që do të jetë prezent në seancat gjyqësore të radhës mbi këtë çështje.
Por sipas CNN, prokurorët mund të kërkojnë që të vendosen kufizime në komunikim me dëshmitarët.
Po kështu, një masë tjetër sigurie që mund të vendoset ndaj Trump është që të njoftojë zyrën e provës nëse do të bëjë udhëtime të caktuara jashtë vendit.
Ngritja e akuzave zyrtarisht ndaj ish-presidentit, vjen pesë ditë pasi juria e madhe federale në Majami miratoi 37 akuza penale ndaj tij, 31 prej të cilave e akuzojnë ish presidentin për “mbajtje të qëllimshme” të dokumenteve të klasifikuara të sigurisë kombëtare, në shkelje të Ligjit të Spiunazhit.