nga YLLI PATA
Se do të ndodhte kjo, nuk pritej. Pra që Lulzim Basha, i cili ka pasur alergji ndaj mediave dhe protagonizmit kaq të madh, të mbushte ekranet, e askush nga të gjithë ata “kundërshtarë” të tij në PD, kanë heshtur të gjithë. Këtë nuk ja merrte mendja ndokujt. Natyrisht, përpara 25 prillit 2021, askush nuk ka guxuar të sulmojë Lulin, madje bëhej garë kush i bënte më lajka, por pas 6 marsit 2022, e mbytën të gjithë. Të paktë, me gishta janë ata deputetë që nuk e sulmuan dhe drejtuan gishtin e tij si fajtor. Këto ditë që Lulzim Basha po kërkon të zëvendësojë të gjithë kohën kur ishte zhdukur, askush nuk flet. i vetmi që i futi një kunj ish-kryetarit ishte Evin Saljanji, i cili tashmë është hapur me Foltoren, edhe pse zyrtarisht ka mbetur nënkryetar i grupit parlamentar të PD-së.
Në fakt, ka arsye për të folur shumë, sidomos mbi përmbajtjen e atyre që thotë Lulzim Basha në takimet që po mban qytet më qytet. Nga këto argumente që Basha përsërit tre-katër janë argumentet kryesorë, e jo aq shumë. Së pari është ritheksimi që e bën në çdo takim në lidhje me vendimin mbi përjashtimin e Sali Berishës. Pastaj vijnë propozimet për ndryshimet kushtetuese, ku në fakt Basha po riciklon propozimet e tij të vjetra për listat e hapura, mandatet e kufizuara të kryeministrit, plus ndonjë shtesë tjetër.
Ajo që ish-kreu i PD-së nuk flet, është se si duhet veprojë nga pikëpamja praktike opozita pas 14 majit, në lidhje me lidershipin e saj. Zgjedhjet e brendshme, forumet, Foltorja dhe PD zyrtare, si do të dalin deputetët, çfarë do të duhet për të arritur kapjen e elektoratit gri. Si Albin Kurti apo politikanët e Kosovës, të cilët kanë frikë të merren me argumentin bazë të situatës, që është statusi i serbëve të veriut, ndaj gjejnë armiq për të polarizuar dhe acaruar situatën, ashtu edhe në opozitën shqiptare po rreket të sulmohet se kush është më demokrat se demokratët në bazë.
Por kjo është një anë, ana tjetër, e që duket më e rëndësishmja, është se pas 14 majit, PD dhe Foltorja, që tashmë është shkrirë me Ilir Metën, nuk kanë asnjë gjasë që të bëhen një parti, së paku deri tani. Ku secila palë që janë edhe juridikisht subjekte të ndara elektorale, akuzojnë njëra-tjetrën, ose denigrojnë njëra-tjetrën për rezultatin e arritur.
Ndërkaq, pjesa që do të duhej apo pritej që të aktivizohej në debatin postelektoral, është ai grup i deputetëve të PD-së që nuk kanë shkuar tek Sali Berisha. Të cilët ndikuan fuqishëm që të mos dilej me 61 kandidatë nga PD dhe të mbështeten emrat e «Bashkimit për Fitore». Por që nga ana tjetër as nuk u angazhuan fuqishëm në fushatën aty ku PD kishte kandidatët e vet. Si përshembull në Tiranë për Roland Bejkon, i cili deklaroi këto ditë se të vetmit që e kishin përkrahur në fushatë ishin Kreshnik Çollaku dhe Orjola Pampuri.
Një zhvillim i rëndësishëm, ku tregon se deputetët kanë shkelur një vendim politik të partisë, çka është edhe vija e kuqe e sjelljes në një forcë politike. Po zaten, as Luli nuk është se doli në fushatë, siç premtoi. S’e pa kush. Po sot që Basha doli, pse kanë heshtur të gjithë? Gjasat janë se 14 maji qartësoi gjërat më shumë. Pra atë që PD dhe Berisha e Meta janë dy realitete politike të ndara. E deputetët do të duhet të zgjedhin. Për të kaluar në foltore, nuk është se ja kush nevojën apo ngenë. Pasi Berishës i duhen ushtarë e jo kolonelë, ndërkaq në PD, fuqinë tani e kanë kryetarët e degëve, struktura e vetme e mbetur në këmbë pas luftës 2 vjeçarë.
Strukturë, e cila nuk i do fare deputetët, por nga ana tjetër duket që kryetarët mbështesin në shumicë rikthimin e Lulzim Bashës. Me të cilët bënë paktin përpara 6 marsit dhe kanë lënë një fjalë që atëherë. Kjo duket arsyeja që ka krijuar këtë impakt, por hapësira për të lëvizur jep kohë të gjatë deri në zgjedhje. Megjithatë, tani tulatja është jo e vogël. E këtë mister e ushqen edhe më shumë Lulzim Basha, i cili ende nuk ka takuar deputetët për t’u treguar se ç’do të bëjë. Siç duket pret që ata të vijnë të parët, pas gjëmës që i bënë në ditët pas zgjedhjeve të pjesshme të 2022-shit…