Gazmend Jakupi, shqiptari nga Kosova pronar i servisit ku Nikoll Sherrniku vodhi targat që u përdorën nga vrasësit e atentatit të 13 marsit 2023 në “Don Bosko” Tiranë rrëfeu detaje të vizitës së Sherrnikut në servisin e tij në Gjermani për të blerë një makinë.

Në një bisedë telefonike me Report Tv, Jakupi tregon se njeriu i Ervis Martinajt është parë nga njëri prej punëtorëve të tij nga Siria, i cili e kishte vërejtur duke vjedhur diçka, që më vonë rezultoi se ishin targa që u përdorën për të vrarë në Tiranë.

“Ai ka ardhur për të blerë makinë në servis dhe i ka vjedhur targat në oborrin tonë. Ne targat që dalin nga përdorimi i mbledhim në një vend dhe më pas i shesim për hekura për t’u shkrirë dhe me paratë e tyre hamë mëngjes ose drekë me punëtorët.

Nikoll Sherrniku ka ardhur një ditë me një shok të tij në 2020-ën, nuk e di se nga ka qenë ai tjetri, dhe unë nuk kam pasur makinë për të shitur në atë kohë. Brenda i ka parë targat në një qoshe ku ne i tubojmë dhe një punëtor i imi i Sirisë e ka vërejtur.

Unë nuk kam qenë aty, por më vonë më ka treguar punëtori sirian që ka punuar për mua 3 vite, se diçka ka marrë, me shumë mundësi targa, dhe në fakt kështu rezultoi”, deklaron Jakupi.

Sherrniku, i cili mori targat që t’ia sillte Ervis Martinajt në Tiranë nuk ka qëndruar më shumë se 20 minuta në servisin e Jakupit.

“Sherrniku ka ardhur vetëm një herë, unë edhe nëse e shoh nuk e njoh. Në bazë të asaj çfarë ka treguar punëtori, dy ose tre targa ka vjedhur, nuk jam i sigurt për më shumë. Ka qëndruar 15 deri në 20 minuta në servisin tim”, vijon Jakupi.

Gazmend Jakupi nuk ka asnjë njohje me Nikoll Sherrnikun, ai nuk e ka takuar asnjëherë vetë personalisht.

“Unë nuk e njoh atë, nuk i kam pasur as numër telefoni, këtu tek servisi im vijnë shumë njerëz. Policia e Shqipërisë na ka gjetur në bazë të targave, ajo që është përdorur në krim ka qenë në emër të një punëtori tonë.

Sistemi në Gjermani është sipas rregullave dhe targa të tilla i hedhim pasi dalin nga përdorimi, por pothuajse të gjithë serviset e makinave në Gjermani i përdorin për t’i shitur për një mëngjes me punëtorët”, vijon më tej pronari i servisit.

Vetëm tani kur ngjarja ka ndodhur dhe prodhoi një viktimë e 6 të tjerë të plagosur, Gazmend Jakupi e kupton se sa e rrezikshme është të mbahen targat që dalin nga përdorimi, të cilat keqpërdoren nga të tjerë. I keqardhur për ngjarjen e rëndë, Jakupi thotë se tashmë është më i kujdesshëm.

“Unë po ta kisha parë vetë duke i marrë targat do ia kisha marrë nga dora, pasi tani po kuptoj se sa e rëndësishme është dhe ato qenkan keqpërdorur në Shqipëri.

Më vjen shumë keq për ata që janë plagosur dhe humbur jetën në Tiranë. Prej kohës që jam informuar për rastin nga Policia e Shqipërisë jam më i kujdesshëm, targa të tilla i mbaj të fshehura”, përfundon Gazmend Jakupi.

Targat e makinës që vodhi në Gjermani Nikoll Sherrniku i solli në Shqipëri dhe ia dorëzoi Ervis Martinajt.

Të njëjtat u përdorën në 12 mars 2023 në atentatin ndaj lokalit të Fatjon Muratit ku mbeti e vdekur Mimoza Paja dhe u plagosën 6 të tjerë.

Nikoll Sherrniku u la në “arrest në burg” nga gjykata. Ai rezulton i arrestuar në gusht 2022 pasi në makinë iu gjet një kallashnikov në Kune të Lezhës.