Lulzim Basha i është rikthyer retorikës së vjetër të përdorur ndaj Berishës, Metës dhe Ramës duke i cilësuar si ‘trekëndëshi i Bermudës’. Ish kryedemokrati gjatë një takimi me demokratët në Kamëz tha se të tre, si Berisha ashtu si Meta dhe Rama janë të shqetësuar nga rikthimi i tij në politikën aktive pas 14 majit.
“Nuk është vetëm ai që është shqetësuar nga dalja ime. Shumë janë shqetësuar nga dalja ime, sepse e kanë monopolizuar debatin publik, duan të dalin vetëm ata të tre dhe kukullat e tyre. Janë shqetësuar shumë. Thelbi i propozimeve të mia është që ajo që i ka ndodhur Shqipërisë në 2008-ën të zhbëhet. Kjo i shqetëson, duan monopol mbi politikën, median, ekonominë. Duan që Shqipëria të mbetet çifligu i këtyre tre personave”- tha Basha.
Sa i takon sulmeve të bëra nga Berisha, Basha tha se qëllimi është shmangia e tij nga përgjegjësia e humbjes në zgjedhjet vendore të 14 majit.