Nga Poli Hoxha
Për rreth një vit e gjysmë pjesa e Partisë Demokratike e cila u pozicionua pro Shteteve të Bashkuara dhe Perëndimit për çështjen “nongrata” të Sali Berishës dhe motivacionin e saj “korrupsion dhe minim i demokracisë”, nga pala e Rithemelimit është trajtuar si asgjë. Si pakicë e pallogaritshme, e shitur, peng, e të tjera epitete injoruese dhe denigruese.
Sot “shumica” që doli me të mbathura nëpër këmbë në zgjedhjet e 14 majit, po i kërkon kësaj “pakice” që të bashkohet me Rithemelimin e Sali Berishës.
Zërat vijnë nga denigruesit, por edhe nga një grup deputetësh brenda grupit parlamentarë, të PD. Të gjithë bashkë, ca nga frika, ca se kanë shitur shpirtin dhe karakterin, e të tjerë që mendojnë vetëm për veten dhe mandatin në vitin 2025, nuk guxojnë që të vendosin gishtin në plagën e hapur e cila i çoi në këtë “përçarje”.
Mund të fshihen sa të duan prapa gishtit të “bashkimit”, po ajo plagë ka vetëm një emër dhe quhet Sali Berisha Non Grata!
Ose më saktë ajo që ndau lidershipin e PD-së, (se demokratët në bazë nuk janë të përçarë), ishte zgjedhja e tipit merre ose lëre: Do të distancohemi nga e shkuara korruptive, klanore, familjare dhe autokratike e Partisë Demokratike, apo jo?
Për ti dhënë përgjigje pra tezës së “bashkimit”, së pari duhet që ti përgjigjen pyetjeve: Me kë dhe për çfarë do të bashkohen?!
Për këtë duhet që të kthehemi pas në kohë dhe bisturinë ta vendosim në rrënjët e plagës që u hap në 9 shtator 2021, kur Lulzim Basha përjashtoj nga grupi parlamentarë Sali Berishën e damkosur nga SHBA dhe më pas nga Britania e Madhe.
Lulzim Basha është kritikuar gjatë drejtimi të PD se mbajti rreth vetes ithtarët e Sali Berishës përmes të cilëve, ai kontrollonte vendimmarrjen në këtë parti. Të gjithë e dinë se njeriu që negocionte me PS-në në emër të Berishës dhe Bashës, ka qenë deputeti Oerd Bylykbashi. Sot ky nuk është “peng”, por është krahu i djathtë i Berishës!
Pas çdo takimi ai fillimisht shfaqej në zyrën e Berishës, (Dhuruar nga oligarku Bashkim Ulaj), e pasi orientohej nga ai, shfaqej në zyrën e Lulzim Bashës. Këtë e dinë të gjithë ata që përbëjnë lidershipin e PD-së dhe të Rithemelimit. E dinë edhe “zarat” që rrinin nëpër korridore dhe prapa derës së Berishës dhe Bashës në ato kohë.
Po kështu të gjithë e mbajnë mend se si i pari Sali Berisha kërkoj te portat e Kuvendit, live, djegien e mandateve e pas kësaj filloj një fushatë të organizuar brenda dhe jashtë partisë, në medie e rrjetet sociale, për këtë çështje. Flamurtarët ishin Flamuri dhe Albana Vokshi. Ku janë sot këta të dy?!
Kujtojmë se edhe para çdo vendimi në PD për fatet e partisë apo ato individuale, dëgjoje deputetët që mburreshin se e kam biseduar x gjë me Berishën, fola me Xenin ose ma kërkoj Argita.
Pra këta deputetë që para çdo vendimi merrnin porosi nga familja Berisha, si mund të veprojnë ndryshe sot kur të gjithë e dinë se Familja pas “nongratave” dhe proceseve në SPAK është shumë më aktive dhe nuk e fsheh më, se me çdo kusht i duhet kontrolli i partisë për të negociuar hallet e mëdha që kanë me ndërkombëtarët, dhe veçanërisht me drejtësinë?!
Ndërkohë që eksperimenti “Rithemelimi” u vërtetua në 14 maj se është një dështim politik total dhe u refuzua masivisht nga shqiptarët dhe demokratët, kanë dalë “papritur” në skenë disa deputet me tezën, sipas së cilës i duhet dhënë ende kohë bashkimit.
Në rastin më të mirë kjo do të thotë që Partia Demokratike të vazhdojnë njësoj si në 8 vitet e shkuara, me të njëjtit njerëz dhe me të njëjtën mendësi. Më shkoqur do të thotë “përpara” me një parti “të re” por që vazhdon e vepron me skemën; “e fola me Berishën, e fola me Zenin, ma dha porosi Argita”.
Ata që kanë hedhur sot këtë tezë, bëjnë sikur harrojnë se kishin më shumë se një vit në dispozicion për tu “bashkuar”. Faktikisht u bënë disa tentativa të udhëhequra nga Gazmend Bardhi dhe Enkelejd Alibeaj, por fundi i tyre ishte përgjigjja poshtëruese nga Sali Berisha, i cili vazhdonte me axhendën e tij të bashkimit me Ilir Metajn dhe ju thoshte: Po të doni të “bashkoheni”, rreshtohuni, ulni kokë dhe hajdeni nën sundimin tim!
Disa, edhe pse nuk e shpallën zyrtarisht, iu bashkuan sundimit të Berishës. I pamë në krah të strukturës së të tij ekstra-politike dhe ilegale në fushatën elektorale të 14 majit. Madje edhe duke shkelur vendimin politik të kryesisë së partisë dhe duke sfiduar e sabotuar hapur kandidatë zyrtarë të PD.
Për këtë nuk kanë marrë asnjë falenderim nga Berisha, kurse përpara demokratëve dhe shqiptarëve shfaqën shndërrimin e tyre në qenie pa moral politik dhe pa dinjitet personal.
Po “bashkimi” i tyre me Rithemelimin e Berishës në 14 maj çfarë solli?
Bashkë me Berishën humbën me turp, por çfarë po kërkojnë sot?!
Kushdo që mendon se këta duan bashkim, thjesht i kanë keqkuptuar për synimin e tyre të vërtetë dhe keq-përdorimin poshtëruese që po ju bën direkt apo larg e larg Sali Berisha.
Bashkë ishin në 2021 dhe nuk ia dolën pavarësisht nga fushata dhe rezultati i jashtëzakonshëm, (gati fitues) që PD arriti me Lulzim Bashën si kryetar.
Bashkë ishin edhe në vitin 2023 në 47 bashki dhe nuk ia dolën. Shumica e tyre sa herë që del në TV dhe flet për këtë tezë “bashkimi” mekanik që nënkupton edhe Berishën me kamikazët e tij brenda, e kanë të shkruar në ballë se thjesht janë duke kërkuar një pazar. Pazar do të thotë që në 2025 lista fituese e PD të jetë sërish me Flamur Nokën, Albana Vokshin, Tritan Shehun, Luan Baçin, Dashnor Sulën, Saimir Koreshin, Ferdinand Xhaferin… e kështu me radhë, sipas radhës që do të vendosë Familja.
Por nuk është kjo më e keqja për ata. Nëse synojnë që të bëhen deputetë sërish duke përdhosur dinjitetin personal dhe baltosur moralin e tyre politik, le ta bëjnë. Faturën e paguajnë vetë. Ajo që nuk kuptojnë këta dhe ata që janë rreshtuar prapa Rithemelimit është se sa më shumë që ata i dhurojnë dinjitetin e tyre Sali Berishës në tepsi, aq më shumë ai i poshtëron.
Përpara disa ditësh mblodhi të gjithë kandidatët e primareve për kryetar bashkish dhe kryetarët e degëve të Rithemelimit. I rreshtoj dhe vetë u ul në një podium të lartë duke mbajtur në krah Flamur Nokën, (i cili në kulmin e fushatës u shfaq me makinë të re akull), dhe Albana Vokshin të cilën se morri vesh njeri nga u zhduk ato kohë.
Nuk nxori në podium ata 7 demokratë që fituan në bashkitë në zgjedhjet e 14 majit. As Këlliçin, Boçin dhe Carën të cilët luftuan për 3 qytetet e mëdha, se për ndonjë figurë të re as që bëhet fjalë. Çfarë mesazhi ju dha atyre që rrinin kokulur si në vaki përpara kësaj tresheje, e cila dikur rrethonte Bashën në çdo hap?:
Unë jo vetëm që ju përdor, por edhe ju poshtëroj, kurse ju nuk guxoni që të bëni zë!
Të njëjtën gjë po bën edhe me këta deputetët e PD-së që bëjnë thirrje për “bashkim”, por pa guxuar që të shtojnë se kjo parti nuk bëhet dot fituese pa u distancuar nga berishizmi si linjë korruptive, familjare dhe autokrate brenda partisë për 32 vite. Se nuk ka dritë në tunelin e tyre nëse do të jenë të izoluar apo injoruar nga SHBA dhe perëndimi në përgjithësi, siç është sot e mot Berisha.
Pasi Gazmend Bardhi dhe Jorida Tabaku nisën të hidhnin mesazhe dhe tezën e “bashkimit” mekanik, Berisha doli dhe i quajti “asete të çmuar”. Më herët Bardhin e ka degjeneruar fare, kurse Tabaku si “ministre ekonomije në hije”, as që llogaritej.
Sot i quan “të çmuar” duke bërë diversion dhe duke lënë për të kuptuar se po “i dekonspiron” si delfinë të tij brenda PD-së. Por mbi të gjitha po i poshtëron. Po lë për të kuptuar se janë “spiunë, vegla” të tij brenda PD-së, edhe pse kjo nuk është fare e vërtetë.
Po gjatë këtyre ditëve deputetë si Dashnor Sula, Saimir Koreshi, Ilda Dhori, Ferdinand Xhaferi etj,(punuan hapur për Berishën në 14 maj, por ai jo vetëm që nuk i falënderon, por edhe po i fajëson), kanë hedhur gjithashtu tezën e “bashkimit”. Nuk kuptohet se për çfarë “bashkimi fitues” e kanë fjalën pasi bashkë ishin në Peqin, Rogozhinë, Elbasan, Lushnje, Divjakë, Durrës etj dhe e pamë se çfarë ndodhi.
Madje Saimir Koreshi, pasi bashkë me Rithemelimin siguroj “fitoren” në Lushnje, mblodhi edhe demokratët lushnjarët në Tiranë për ti bindur që të mos votonin Roland Bejkon siç kishte vendosur kryesia e partisë, por Këlliçin e Berishës dhe të Metajt!
Këtë të premte deputetët Flamur Hoxha dhe Lefter Gështenja dolën te CNN Albania dhe kërkuan edhe këta bashkim me Rithemelimin dhe drejtimin e partisë në mënyrë kolegjiale. Në të njëjtën ditë Sali Berisha u ktheu përgjigje të gjithëve: Bashkimi me drejtim kolegjial është plan i Yuri Kim dhe Edi Ramës për të shkatërruar PD-në!
Të gjithë këta të “bashkimit” janë lëshuar studio më studio që ti japin pak oksigjen Berishës së marrë fund, po ai çfarë bën pas kësaj?
Vetëm i poshtëron!
Ky është Berisha. I tillë ka qenë për 32 vite dhe nuk ka si të ndryshojë sot kur ka edhe halle të mëdha personale dhe familjare.
Ndaj ndajeni mendjen; Teza e bashkimit mekanik dhe pa u distancuar nga berishizmi, nuk ka asnjë lidhje me projektin që bind shqiptarët që të të votojnë por vetëm me pazarin për vitin 2025, pas të cilit synohet që në listë të jenë sërish deputetët e Berishës dhe këta që po e amnistojnë edhe pse ai ua shpërblen duke i poshtëruar.
Janë në biznesin e tyre njësoj si berishistët, por ka një pyetje: Mbi çfarë morali do tu kërkojnë “bashkim” demokratëve që refuzuan lojën e tyre në këto zgjedhje, mbi çfarë parimesh do ti kërkojnë elektoratit gri besimin?!
Apo të mbetemi vetë deputetë, pa varja demokratëve dhe shqiptarëve që po vuajnë në qeverisjen korruptive të Edi Ramës!
Shqiptarët presin një tjetër PD, me energji të reja, me projekt të ri. Ajo, duhet të jetë ndryshe dhe e ka shansin të jetë ndryshe. Nëse e humb këtë shans për interesat personale të disa deputetëve, atëherë PD fatkeqësisht do të mbetet thjesht në histori si një Hirushe e bukur të cilën e vrau Shtriga. Edhe me ndihmë e këtyre të “Bashkimit”.