Nga Ylli Pata/
Dy zhvillime të rëndësishme qëndrore kanë ndodhur dje në PD, përpara mbledhjes së Kryesisë. Platforma e Gazmend Bardhit, i cili është regjenti i opozitës zyrtare dhe ajo e kolegjit të kryetarëve, i cili është organi politik e organizativ më i fuqishëm brenda Partisë Demokratike.
Dy koncepte krejt të kundërta, dy vizione, e natyrisht ide e perceptime të ndryshme të realitetit politik brenda opozitës.
Me një fjalë dy botë që sipas të gjitha gjasave do të konfrontohen krejt natyrshëm e logjikshëm në një mjedis apo akt zgjedhor brenda partisë.
Përveç mendimeve e qëndrimeve për aktualitetin, kemi të bëjmë me dy realitete politike që edhe në terren janë krejt të ndryshme. Krerët e PD-së në rrethe, kanë qenë grupi më i qartë politikisht në opozitën shqiptare. Kur Sali Berisha shpalli luftën për të marrë PD-në, ata mbajtën qëndrim përballë tij. 8 janari në selinë blu ka shenjën e madhe të militantëve të PD-së në bazë, të cilët pa dalë në ekrane, ishin ata që e ruajtën selinë nga zabtuesit me leva, qysqi dhe me dash.
Fytyra epike e vrerosur e Sali Berishës më 8 janar 2022, ndërsa ecte buzë Lanës së bashku me njerëzit e tij nuk ishte e tillë pse nuk e mori fizikisht, por pasi e mori vesh se selinë e PD-së e kanë mbrojtur demokratët e bazës, që e konsoderuan atë seli, të tyren.
Ato 105 mijë vota që PD mori më 14 maj, kur nuk dolën me kandidatë për kryetarë bashkie, me insistimin e deputetëve kundërshtarë të bazës, janë vetëm produkt i strukturës më të konsoliduar dhe reale që ka opozita shqiptare sot në territor. Ata janë vota të dedikuara, dhe jo si votat e Bashkimit për Fitore, që i janë dhënë nga elektorati që nuk e do Edi Ramën, thejsht sepse ishin alternativa e vetme. Kushdo që e njeh sadopak realitetin politik në Shqipëri, e di mire se ata 105 mijë vota të dedikuara mund të dy dhe trefishohen krejt lehtësisht.
Ndaj dhe kolegji i kryetarëve sot është struktura më e frikshme nga deputetët që e shikojnë si rrezik direkt personal këtë strukturë. Propozimi i Jorida Tabakut sot në mbledhjen e kryesisë për të ngritur një strukturë paralele pra 12 drejtues të PD-së për 12 qarqet nuk është gjë tjetër veçse një puç politik. Nëse do të bëhet një gjë të tillë, do të duhet ta miratojë vetëm Këshilli Kombëtar i PD-së. Imitimi që i bëhet modelit Rama në PS, pra me të dërguar politik në qarqe, njo vetëm që është regresiv, por edhe jo efikas.
Krerët politik të qarqeve në PS, e kanë prishur autonominë dhe fuqinë e strukturave të zgjedhura të PS-së në territor. Por PS është një forcë politike qeverisëse, ku në zgjedhje mbron vetveten dhe mazhorancën.
Ndërsa opozita, legjitimitetin e vet në territor e fiton pikërisht nga zgjedhjet e jeta demokratike e brendshme.
Natyrisht që propozimi i Tabakut duket si një kompromis që të paktën 12 drejtuesit e qarqeve që sipas gjasave do të jenë deputetë, të rikandidojnë në zgjedhjet e 2025.
Megjithatë, Situata në PD, duket se është krejt ndryshe, e baza qëndrestare e 2 viteve luftë të brendshme, jo vetëm që është protagoniste e zhvillimeve në parti, por gjasat janë se ata nuk do të pranojnë kompromis me deputetët që i bien këmbanës së bashkimit. Ata, pra krerët e degëve e kanë parë në lëkurën e tyre se pse s’ndodhi bashkimi, e çfarë bashkimi kërkonin ata që bëjnë liturgjira për të në media e rrjete sociale.
Realiteti është që deputetët që përfaqësohen nga grupi që jo vetëm mbrojti tezën për të mos dalë me kandidatë më 14 maj, por edhe bëri fushatë për kandidatët e foltores, e kanë ndarë përfundimisht me bazën reale të PD-së. Ndaj dhe kërkojnë një rrugëdalje, e nuk ishte e rastësishme deklarata e Bardhit se nuk përjashtohet konsultimi me Sali Berishën. Por a do të shkojnë vallë?