BE-ja në Kosovë mirëpret miratimin e Ligjit të ri për Zgjedhjet e Përgjithshme nga ana e Kuvendit.
“Që nga viti 2013, përmes vendosjes së misioneve me të drejta të plota për vëzhgimin e zgjedhjeve (EU/EOMs), BE-ja në Kosovë i ka monitoruar si zgjedhjet komunale edhe ato të përgjithshme dhe ka ofruar një sërë rekomandimesh për përmirësimin e kornizës zgjedhore. BE-ja në Kosovë është e lumtur të shohë se shumica e këtyre rekomandimeve tanimë janë përfshirë në Ligjin e ri për Zgjedhjet e Përgjithshme”, shkruhet në reagimin e Bashkimit Evropian. Në korrik të vitit 2022, Kuvendi themeloi Komisionin Ad-Hoc për Reformën Zgjedhore, i cili e përfundoi me sukses dhe me konsensus punën e tij më 5 prill 2023.
“Komisionin e përgëzojmë për punën profesionale dhe gjithëpërfshirëse”, vijon komunikata e BE-së.
BE i bën thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që të harmonizojë rregulloret zgjedhore me ligjet e reja në mënyrë që të përgatitet për zbatimin e kornizës së re ligjore përpara zgjedhjeve të ardhshme.
“Gjithashtu kemi parasysh se disa nga rekomandimet teknike duhet të zbatohen në vazhdimësi dhe theksojmë se vlerësimi i përgjithshëm do të mund të bëhet vetëm pas zgjedhjeve të ardhshme. Përmirësimi dhe forcimi i procesit zgjedhor është një veçori e përhershme në çdo demokraci si dhe kërkesë e vazhdueshme për demokracitë në zhvillim. Kjo duhet të bazohet në gjetjet dhe rekomandimet nga zgjedhjet paraprake që synojnë që në të ardhmen të sigurojnë zgjedhjet më të lira, më të drejta dhe më transparente, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare”, shtohet në njoftimin e BE-së.
BE-ja në Kosovë e ka mbështetur Komisionin Ad-Hoc, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe institucionet e Kosovës në këtë proces dhe premton se do të vazhdojë ta bëjë këtë edhe në të ardhmen.