Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci u betua dhe mori zyrtarisht detyrën para anëtarëve të këshillit bashkiak.
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentit dhe drejtuese politike e PS-së në Shkodër, Elisa Spiropali ka publikuar foto me kryetarin e ri.
“Live | Me Kryetarin e Bashkisë, Benet Beci dhe Kryetarin e Këshillit të Bashkisë Shkodër, Oltion Luli.”, shkruan Spiropali.
Kujtojmë se Beci fitoi me një rezultat të thellë në zgjedhjet e 14 majit përballë kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Bardh Spahia. Pas betimit, Beci tha se besimi që i dhanë qytetarët shkodranë është garanci për sukses.
“Unë sot kam kënaqësinë që të jem zgjedhur nga ju dhe njerëzit që ju përfaqësoni në këtë sallë si qytetar i parë i Shkodrës. Por në fakt do të doja të isha qytetari i parë i Shkodrës por më shumë punëtor dhe shërbëtor i parë i Shkodrës. Do të punoj për të qenë një i tillë. Rruga që do të bëjmë bashkë ka vështirësi, por tani është koha për t’u përqendruar tek puna, për një ndryshim të madh jo thjesht që Shkodra të arrijë kohën e humbur për të paraprijë të ardhmen.”, tha ai.