Sali Berisha ka vijuar me akuzat e tij ndaj kryeministrit Edi Rama sa i takon rrëmbimit të 3 policëve të Kosovës nga forcat serbe në veri të vendit.
Përmes një postimi në Facebook, ai shkruan se Rama planifikonte të dërgonte ministren e Jashtme Olta Xhaçka për t’i marrë me avion 3 policët e rrëmbyer nga Serbia, por plani u prish sepse Vuçiç mashtroi Ramën duke i mbajtur efektivët nën arrest me burg për armëmbajtje pa leje. “Miq, me aktin e fundit, ndërhyrjen brutale te Edi Ramës në punët e brendshme të Kosovës dhe anulimin e takimit te dy qeverive, Edi Ramës i ra maska, humbi ato që në fakt ai nuk i ka fytyrë dhe moral.
Refuzimi i prerë nga autoritet e Kosovës i kësaj ndërhyrje të pa precedentë, dënimi i saj nga mbarë shqiptarët, por dhe analistët me të shquar ndërkombëtar për rajonin, bënë që të dështojë përpjekja e tij si një kamikaz antikombëtar për ti bërë një shërbim sa do të vogël padronit të tij në Beograd.
Ky i fundit si shpërblim e mashtroi dhe e përçmoi mbasi nuk i liroi tre policët e Kosovës që i rrëmbeu bash ditën që Rama anuloi mbledhjen e qeverive të dy vendeve në Gjakovë. Pikërisht në momentin kur Rama do niste Oltën me “Ismailin” në Beograd, për të sjellë në Tiranë policët e rrëmbyer, Presidenti i Serbomadhisë, Aleksandër Vuçiç, urdhëronte gjykatësit të mbante ata me akuza false në burg. Kështu Rama doli nga këto qëndrime antishqiptare thjeshtë si një limon i shtrydhur nga si “vllau” i tij, serbomadhi Vuçiç.
Por Rama jo vetëm nuk fajësoi dot autoritet e Kosovës për reagimin e tyre të drejtë ndaj ndërhyrjes së tij brutale në punët e brendshme të këtij vendi, por ai dështoi me turp edhe në përpjekjen e tij me aktet që bëri si ‘euroatlantist’ anti-NATO, që është (keni parasysh se në një akt urrejtje ndaj Aleancës, ai zhduku flamurin e NATO-s nga Kryeministria dhe të gjitha institucionet e Shqipërisë) për të lehtësuar sado pak gjendjen e tij të tmerrshme para drejtësisë amerikane”- shkruan Berisha ndër të tjera.