Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se “pavarësisht takimeve të mbajtura dje” në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Alleksandër Vuçiç, “përshkallëzimi vazhdon dhe po bëhet i rrezikshëm” në veri të Kosovës. “Ne nuk do ta tolerojmë këtë”, ka shkruar Borrell në Twitter. Ai ka theksuar se është i “alarmuar me situatën në veri të Kosovës: arrestimet jashtëgjyqësore të serbëve të Kosovës dhe marshimin e Forcës të Sigurisë së Kosovës në Mitrovicë të Jugut; ndjekur nga retorika e rëndë nga Serbia”.
Më 23 qershor, Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Mitrovicën e Veriut nën dyshimin se ka marrë pjesë në sulmin ndaj KFOR-it, misionit ushtarak të NATO-s në Kosovë. Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se është arrestuar Nenad Orlloviç, i cili dyshohet se ishte në grupin që sulmoi KFOR-in më 29 maj. Atë ditë, të lënduar kishin mbetur rreth 30 ushtarë të KFOR-it gjatë tentimeve për t’i shpërndarë protestuesit e grumbulluar pranë objektit komunal në Zveçan. Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë e ka dënuar arrestimin e Orlloviçit , duke thënë se kjo është dëshmi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “nuk dëshiron dialog apo paqe, por dëshiron të arrestojë të gjithë serbët dhe të provokojë konflikte jo vetëm në Kosovë, por edhe rajon”.
Ndaj arrestimit të fundit ka reaguar edhe Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, duke e cilësuar atë si “rrëmbim” të “një tjetër serbi të nderuar”. Lista Serbe u kërkoi Misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë për Sundim të Ligjit (EULEX) dhe Misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR) “të vendosin forcat e tyre sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të garantojnë paqen dhe sigurinë për të gjithë qytetarët”. Në anën tjetër, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se “secili që ka organizuar dhe ka qenë pjesë e atyre sulmeve do të sillet para drejtësisë”.
Më 31 maj, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte bërë të ditur se është vendosur masa e paraburgimit për një muaj për dy persona të arrestuar gjatë përleshjeve në Zveçan. Protestat në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok në veri të Kosovë – zonë e banuar me shumicë serbe – filluan më 26 maj, kur grupe të serbëve lokalë u grumbulluan para objekteve komunale për të protestuar kundër hyrjes së kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit në to. Ndërsa, më 13 qershor, Policia e Kosovës kreu një aksion në Mitrovicë të Veriut, ku arrestoi Millun Millenkoviç. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se i arrestuari dyshohet se ka qenë një prej organizatorëve të ngjarjeve në Zveçan më 29 maj.
Një ditë pas kësaj, tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës u arrestuan nga forcat serbe në veri të vendit, një veprim që Qeveria e Kosovës e ka cilësuar si rrëmbim. Ndaj tyre, autoritetet serbe kanë shqiptuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh. Për ta qetësuar situatën në veri, përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Siguri dhe Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ftoi në takim më 22 qershor kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Ata u tha se janë pajtuar për mbajtjen e zgjedhjeve të reja./ REL