Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell në një konferencë për media së bashku me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama ka bërë të ditur se njëra ndër temat e diskutuara mes tij edhe kryeqeveritarit shqiptar ka qenë edhe çështja e dialogut Kosovë-Serbi dhe situata e përshkallëzuar në Veri të vendit.

Borrell ka theksuar se Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia të gjejnë një mënyrë për të evituar përshkallëzimin e situatës në njërën anë dhe të miratojnë planin tre-pikësh të Unionit për shtensionim.

Në të kundërtën, sipas tij, të 27-të shtetet anëtare të Unionit mund të marrin masa në mënyrë të shpejtë dhe në mënyrë urgjente.

“Shtetet anëtare janë dakordë me këtë urgjencë dhe po e humbin durimin para kësaj situata që po përkeqësohet përherë”.

Ndryshe një ditë më parë, Borrell, në një konferencë për media pas takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në Strasburg, ka thënë se e vetmja zgjidhje për situatën në veri të Kosovës mbeten zgjedhjet e reja atje.

“Ne kemi rënë dakord që zgjedhjet të mbahen. Ne kemi rënë dakord që nuk mund të kemi në zyra kryetarë të komunave që mbrohen përgjithmonë nga forcat [paqeruajtëse] të NATO-s [në Kosovë]. Kjo nuk është një zgjidhje e qëndrueshme. Zgjidhja do të vijë vetëm nga zgjedhjet e reja”, ka thënë Borrell.