Përfaqësuesi i lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell informoi për fillimin e takimit me kryeministrin Albin Kurtin, ku u shpreh se synojnë të gjejnë zgjidhje për çtensionim e situatës. “Situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë shumë e tensionuar. Sot, ne synojmë të gjejmë zgjidhje për de-përshkallëzimin e menjëhershëm dhe për rrugën përpara. Takimi me kryeministrin Albin Kurti ka filluar.”, shkroi Borrell në Twitter.

Mbrëmjen e së mërkurës, kryeministri Albin Kurti ka konfirmuar se do të udhëtojë për në Bruksel për takimin e radhës të nivelit të lartë, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Ai është shprehur se atje do të insistojë për lirimin urgjent dhe pa kushte të tre policëve të rrëmbyer nga Serbia. Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka deklaruar po të mërkurën se nuk mund të konfirmojë datën për takimin në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç. Megjithatë, Stano ka shtuar se nuk ka kohë për të humbur dhe duhen veprime konkrete.

Situata në veri të Kosovës është tensionuar prej 26 majit kur kryetarët e zgjedhur janë detyruar të shkojnë në vendet e tyre të punës nën asistimin e Policisë së Kosovës. Para ndërtesave komunale janë duke qëndruar protestues serbë, të cilët po kundërshtojnë kryetarët shqiptarë. Protestuesit në veri, në mesin e tyre edhe të tillë me maska, kanë sulmuar pjesëtarë të Policisë së Kosovës, KFOR-it si dhe gazetarë, të cilët po raportojnë nga pjesa veriore e vendit.

Autoritetet e Kosovës kanë arrestuar disa prej sulmuesve, në mesin e tyre edhe organizatorin e sulmeve ndaj KFOR-it, Millan Millenkoviq-Llune. Ndërsa, forcat serbe kanë rrëmbyer tre policë të Kosovës, brenda territorit të vendit tonë, të cilët janë duke u mbajtur në Serbi.