Të paktën 13 persona kanë vdekur dhe tre të tjerë janë zhdukur pasi një ciklon kaloi të premten në shtetin e Rio Grande do Sul në Brazilin jugor, njoftuan autoritetet të dielën.
Shirat e dendur dhe erërat e forta shkaktuan dëme në dhjetëra zona të këtij shteti, përfshirë kryeqytetin e tij, Porto Alegre.
“Numri i të vdekurve rritet në 13, përfshirë një foshnjë katër muajshe, pasi dy trupa u gjetën në qytetin Karaa, i cili është në një nga zonat më të prekura”, tha shërbimi i mbrojtjes civile të shtetit.
Nga ana tjetër, numri i personave të zhdukur u reduktua, nga 20 që ishin shpallur të shtunën në tre. Të gjithë ata janë banorë të qytetit bregdetar të Caraa, që ndodhet 90 kilometra nga Porto Alegre. Erërat e forta goditën brigjet e shtetit, kryesisht në qytetin Tramandai, ku sipas shifrave zyrtare u regjistruan erëra deri në 101 kilometra në orë.
Shtëpitë e rreth 5,000 banorëve u dëmtuan dhe dje rreth 84,000 njerëz ende nuk kishin energji elektrike. Rreth 800 u desh të evakuoheshin me helikopter.