Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka folur për disa shkelje që sipas tij po ndodhin me statutin e PD, për të cilat tha se kanë si qëllim të çojnë partinë në zgjedhje në 29 korrik.

I pyetur se çfarë do të bëjë ai dhe grupi i deputetëve që e mbështesin, pasi Luzim Basha të zgjidhet kryetar i pjesës së vogël që ka mbetur nga PD dhe të nisë shkarkimet e kundërshtarëve brenda partisë, ai u shpreh në “Të Paekspozuarit” se në rast të një skenari të tillë, PD do të shuhet.

Pjesë nga biseda:

Bardhi: Në këtë rrugë dhe skenar, PD po shkon drejt shuarjes, të garantoj për këtë. Shqetësimi që kam unë, është që mbajtja në konflikt, midis pjesëve të opozitës po bjerr të gjitha pjesët brenda opozitës.

I vetmi përfitues nga kjo që ka ndodhur dhe pritet të ndodhë, nëse skenari që thoni ju realizohet, do të jetë Edi Rama.

Pyetje: Varet çfarë do të bëni. A ka mundësi që ju të bëheni bashkë me zotin Berisha?

Bardhi: Qëndrimi im për zotin Berisha është publik dhe i pandryshuar, edhe si grup. Jemi ndarë nga zoti Berisha por unë nuk e kam luftën me Sali Berishën dhe segmente të opozitës.

E gjithë opozita e ka luftën me një kundërshtar që është Edi Rama. Nëse opozita vazhdon këtë luftë, mbaje shënim, Rama merr 100 mandate.