Kosova ka shënuar Ditën e Çlirimit këtë të hënë.
24 vjet që kur më 12 qershor 1999 për herë të parë trupat paqeruajtëse të NATO-s zbarkuan në Kosovë, duke larguar kështu nga vendi ato serbe.
Krerët shtetëror kanë nderuar të gjithë veprimtarët që kontribuuan dhe trasuan rrugën e Kosovës për liri e më vonë për pavarësi.
Homazhe u bënë pranë varrit të ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe veprimtarit Adem Demaçi e po ashtu pranë varreve të Familjes Jashari.
“Ditën kur shtetin ynë u çlirua pas një lufte e cila rezultoi me gjenocid ndaj një populli të pafajshëm, popullit të Republikës së Kosovës”, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
“Përulemi para të gjithë martirëve dhe dëshmorëve të kombit dhe të gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë e popullit dhe çlirimin e Kosovës. Ndërhyrja ushtarake e NATO-s e ndaloi gjenocidin e Serbisë mbi popullin tonë”, tha kryeministri Albin Kurti.
Krerët shtetëror nderuan edhe ushtarët e KFOR-it të rënë gjatë shërbimit të tyre në Kosovës.
“Dita e Çlirimit të Kosovës koincidoi pikërisht me ndaljen e gjenocidit të Serbisë ndaj popullit të Kosovës. Kjo nuk do të mund të arrihej edhe pa miqtë tanë të çmuar ndërkombëtar, pa shtetet që e ndihmuan çlirimin e Kosovës, por kjo ndodhi edhe pse kauza jonë ishte e drejtë”, tha kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Në nder të Ditës së Çlirimit orkestra e Forcës së Sigurisë së Kosovë ka performuar nëpër sheshet kryesore të Prishtinës.