Deputeti i PD Saimir Korreshi ka deklaruar se partia ka nevojë të hapet dhe në krye të saj duhet një lider i ri.
Në një intervistë për Vizion Plus, ai tha se Basha, Berisha dhe Alibeaj i patën të gjitha mundësitë për të sjellë PD në pushtet por nuk ja arritën, ndaj kërkon prej tyre që të rrinë deputetë të thjeshtë.
“Lulzim Basha, Berisha dhe Alibeaj nuk mund të kandidojnë më për të drejtuar partinë. Ata kanë pasur të gjitha mundësinë për të drejtuar PD, për ta çuar PD në fitore nuk ja arritëmn. PD duhet të hapet.
Brenda grupit parlamentar por jo vetëm ka elementë shumë të mirë. Duhet të hapin krahun dhe nuk është gjë e keqe të jesh vetëm deputet. PD ka nevojë të kalojë përtej çdo njërit nga ne”, tha Korreshi.
Deputeti demokrat më tej tha se dy grupimet që janë krijuar brenda PD-së duhet të mblidhen dhe të bëjnë një analizë të thelluar për situatën në të cilën ndodhen.
“Asnjë nuk i është dorëzuar Berishës. Ne kemi kërkuar bashkim të demokratëve që duhet të vijë përmes një procesi gjithpërfshirës.
Grupi parlamentar është i vetmi institucion që është zgjedhur me votat e demokratëve në zgjedhjet e 2021 që ishim të gjithë bashkë. Mendoj që hapi i parë kryesor është bashkimi i demokratëve. Ne nuk mund të fillojmë një proces pa kuptuar nëse do të bashkohet PD apo jo.
Nuk mund të bëjmë një analizë të cunguar, Ne duhet të mblidhemi të dyja grupimet e PD për të parë realitetin se çfarë ka ndodhur. Përveç makinës hajdute të PS ka qenë edhe ndarja një arsye e humbjes. PD kur hyn e përccarë ose me dy kandidat del gjithmonë humbëse”, tha Korreshi.