Elvana Gjata dhuroi spektakël dhe magji në koncertin e saj madhështor pak ditë më parë, ku bëri bashkë mijëra shqiptarë në stadiumin “Air Albania”.
Ndërkohë, ditën e sotme ajo ishte e ftuar në podcastin “Flasim” të kryeministrit Edi Rama, ku ndau detaje për rrugëtimin e saj në muzikë dhe zbuloi disa detaje për veten, të cilat me siguri nuk i dini.
Pse ajo nuk jep shpesh intervista
“Sepse dua të ndihem shumë mirë me atë që kam përballë. E kam shumë të rëndësishme të ndihem mirë dhe të flas sinqerisht, sepse nuk më pëlqen që të flas dhe të them gjëra klishe, gjëra të sforcuara. Duhet të kem një energji shumë të mirë (që të jap intervista).”
Prindërit e Elvanës nuk kanë dashur që ajo të bëhej këngëtare
“Për hir të së vërtetës, prindërit e mi nuk kanë dashur që unë të këndoj, pavarësisht se ishin të vetëdijshëm për talentin tim. Ata nuk donin, sepse motra e madhe, Migena, ishte këngëtare dhe prindërit më shihnin mua në një profesion tjetër, sepse sipas tyre një profesion tjetër do të ishte një e ardhme më e sigurt.”
Elvana e nisi rrugëtimin në muzikë pa lejen e prindërve
“Kam shkuar në Pallatin e Pionierëve, pa lejen e prindërve. Shkova, u regjistrova dhe natën e festivalit u kam thënë mamit dhe babit: ‘Ejani më shikoni se unë këndoj sot’. Natyrisht kisha ndihmën e xhaxhait tim, sepse nuk e dija rrugën për të shkuar në Pallatin e Pionerëve, sepse isha shumë e vogël, 10 vjeç. Ishte një surprizë. Unë fitova çmimin e tretë.”
Motra e Elvanës ishte e para që kuptoi talentin e saj
“Motra ka qenë e para që më ka ushqyer me muzikën. Ajo e kuptonte që unë nuk e preferoja (muzikën që dëgjonte ajo), Mozart, Beethoven…mua më pëlqente, por ajo e kuptoi që preferoja diçka tjetër. Filloi të më mësonte me Frank Sinatra-n, Celine Dion, Mariah Carey. E kuptoi që kisha potencial dhe sot qëndron gjithmonë në krahun tim. Pak më parë kishim prova bashkë, sepse është trajnerja e vokalit tim.”
Sekreti i trupit gjithmonë në formë: Elvana është pothuajse vegane
“Gatimet e babit në shtëpi (janë sekreti). Babi më ndihmon dhe gatuan për mua. Ne jemi 90% veganë. Ai 10% konsiston në pak peshk, kurse mish të kuq jo.”
Elvana bën 1 orë e gjysmë stërvitje në ditë, 5 herë në javë.
Baladat janë këngët e saj të preferuara
Pëlqen të dëgjojë artistë si Frank Sinatra, Adele, Beyonce, John Legend etj.
Momentet e vështira të karrierës së saj, kur ka menduar të heqë dorë
“Kjo është shumë interesante sepse gjithmonë kam dashur ta prek këtë pjesë. Ka pasur momente që jam ndjerë kaq e lodhur dhe e mërzitur dhe e rënë, nuk gjeja më forcën, por është e çuditshme që pikërisht në atë moment i kam thënë vetes: në asnjë mënyrë. Çohu në këmbë dhe do vazhdosh përpara. Dhe kjo që them është shumë e sinqertë”.
Gjërat që e mërzisin në Shqipëri, aq sa mendon edhe largimin nga vendi
“Kur jam këtu, ka gjëra që mërzitem, them do iki. Gjërat që më mërzisin kanë të bëjmë me mentalitetin mendoj, me vrasin shumë gjëra ende, që anë të bëjnë në lidhje me pozicionin e femrës në Shqipëri. Këto gjëra më mërzisin”.