Kryetari i Komisionit të Mbikëqyrjes në Dhomën e Përfaqësuesve thotë se do të kërkojë mbajtjen përgjegjës të drejtorit të FBI-së Christopher Wray për mospërfillje ndaj Kongresit.
Ligjvënësi republikan James Comer tha se takimi mbi 60 minuta me zyrtarët e Byrosë Federale të Hetimeve në lidhje me të dhënat e paverifikuara që zotëron agjencia e zbatimit të ligjit ndaj Presidentit Joe Biden, nuk e justifikon kërkesën ligjore të Kongresit.
Zyrtarët e FBI-së shkuan në Kongres të hënën për të informuar ligjvënësin republikan James Comer dhe ligjvënësin kryesor demokrat në komision Jamie Raskin, në lidhje me një dokument të qershorit të vitit 2020 që supozohet se ka lidhje me zotin Biden dhe familjen e tij.
Takimi u zhvillua në një dhomë të posaçme, pasi zyrtarët e FBI-së thonë se dokumenti me disa faqe përmban të dhëna të ndjeshme.
“FBI-ja përsëri refuzoi t’i dorëzonte dokumentin jo-sekret Komisionit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve”, tha për shtypin zoti Comer pas takimit. Ai tha se të enjten do të fillonte procedurat në Kongres për mosrespektim të detyrimit ligjor nga FBI-ja.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, u tha gazetarëve se nëse komisioni e miraton hapjen e procedurave kundër zotit Wray, i cili u emërua nga presidenti i atëhershëm Donald Trump, ai do ta lejonte mbajtjen e votimit të një rezolute kundër drejtorit të FBI-së.
FBI-ja reagoi përmes një deklarate duke thënë se përshkallëzimi i situatës në mospërfillje ndaj Kongresit ishte i “pajustifikuar” duke patur parasysh se agjencia kishte “dëshmuar vazhdimisht përkushtimin për të përmbushur kërkesën e komisionit” duke mbrojtur njëkohësisht sigurinë e burimeve dhe integritetin e hetimeve në vazhdim.
Shtëpia e Bardhë e quajti vendimin e ligjvënësit Comer për fillimin e procedurave kundër zotit Wray, “një tjetër manovër pa fakte” që synon të “përhapë aludime në përpjekje për ta dëmtuar politikisht presidentin dhe tërhequr vëmendjen e medias”.
Më 3 maj, ligjvënësi Comer dhe Senatori Chuck Grassley, republikan i shtetit Ajova, i dërguan një letër drejtorit të FBI-së Christopher Wray.
Ata thanë se ishin informuar se FBI-ja ka një dokument që “përshkruan një skemë të dyshuar kriminale” që përfshin zotin Biden dhe një shtetas të huaj “në lidhje me shkëmbim parash për vendime politike” kur zoti Biden ishte nënpresident.
Fjala “supozim” u përdor tre herë në paragrafin hapës të letrës dhe zoti Comer nuk ofroi asnjë provë mbi vërtetësinë e akuzave ose ndonjë detaj në lidhje me ato që ata pretendojnë se janë “gjetje jo sekrete shumë të besueshme të sinjalizuesit”.
Dokumenti të cilit i referohen republikanët, njihet si forma FD-1023, që agjentët e përdorin për të regjistruar informacione të paverifikuara që marrin nga burime njerëzore konfidenciale.
FBI-ja thotë se dokumente të tilla mund të përmbajnë informacione të pavërtetuara dhe të paplota, dhe se regjistrimi i një të dhëne nuk do të thotë se informacioni është i vërtetë.
Associated Press nuk ka qenë në gjendje që të verifikojë në mënyrë të pavarur se çfarë përmban dokumenti.
Zoti Comer i kërkoi në rrugë zyrtare zotit Wray një kopje të dokumentit dhe e paralajmëroi se do ta mbante përgjegjës nëse shpërfillte kërkesën e Kongresit.
Zyrtarët e FBI-së i ofruan zotit Comer qasje tek dokumenti në një dhomë të posaçme, “në një formë që ruan konfidencialitetin dhe mbron interesat e rëndësishme të sigurisë dhe integritetin e hetimeve të FBI-së”.
Por ligjvënësi Comer u tha gazetarëve se informimi i së hënës nuk ishte i mjaftueshëm për të. Ai tha se FBI-ja duhet t’ia dorëzojë fizikisht dokumentin komisionit, gjë që, për arsye konfidencialiteti, ka refuzuar ta bëjë.
Duke folur me gazetarët pas takimit me zyrtarët e FBI-së, republikani Comer dhe demokrati Raskin shfaqën qëndrime kontradiktore lidhur me ato që mësuan në takimin me agjencinë e zbatimit të ligjit.
Demokrati Raskin tha se zyrtarët e FBI-së u thanë atyre se informacioni i paverifikuar kundër zotit Biden lidhet me të dhënat që ish-avokati i zotit Trump, Rudy Giuliani i dha Departamentit të Drejtësisë në vitin 2020 në lidhje me marrëdhëniet e biznesit të zotit Biden dhe djalit të tij, Hunter Biden, në Ukrainë. Hunter Biden ka punuar në bordin e kompanisë ukrainase të gazit Burisma.
Ligjvënësi Raskin i përshkroi pretendimet në dokument si “thashetheme të dorës së dytë” nga individë në Ukrainë që departamenti i kishte shqyrtuar dhe “nuk kishte gjetur asnjë arsye” për t’i ndjekur më tej në një hetim paraprak.
“Burimi, i cili është përshkruar si shumë i besueshëm nga FBI-ja, i tha byrosë se nuk mund të jepte ndonjë opinion mbi vërtetësinë e informacionit të dhënë nga këta individë ukrainas”, tha zoti Raskin në një deklaratë të hënën vonë.
Ai shtoi se publikimi i dokumentit do të ishte një “gjë e rrezikshme” sepse mund të rrezikonte konfidencialitetin e burimeve të organeve të zbatimit të ligjit.
Republikani Comer tha se dokumenti përmban pretendime që tregojnë një “strukturë ryshfeti” në familjen Biden që është në përputhje me pretendimet e tjera që po heton komisioni.
Ligjvënësi i shtetit Kentaki ka thënë në mënyrë të përsëritur se dështimi për të dorëzuar dokumentin do të çonte në hapjen e procedurave kundër drejtorit të FBI-së. Ngritja e akuzave për mospërfillje ndaj Kongresit kërkon miratimin nga komisioni përpara se rezoluta të dërgohet për votim para Dhomës së Përfaqësuesve.
Nëse Dhoma e Përfaqësuesve e mban zotin Wray përgjegjës, i takon Departamentit të Drejtësisë, ku zoti Wray punon, të vendoste nëse do ta ndiqte penalisht atë.