Edhe pse i vënë përballë kritikave të mëdha nga faktori ndërkombëtar të cilët e fajësojnë për tensionet në veri të Kosovës, kryeministri Albin Kurti nuk nguron të shtrijë sërish dorën përballë tyre.

Në një interviste për “TheGeopost” ai kërkoi ndihmën e ndërkombëtarëve për të frenuar sipas tij, tentativën për copëzimin e Kosovës.

“Po i bëjnë këto trazira sepse po e shohin që Kosova është shtet, ndërsa ata duan ndarjen e saj, duan copëtimin e Kosovës, ky është synimi i qartë i tyre. Nuk kanë hequr hequr dorë nga kjo ide, e cila mund të zbatohet vetëm përmes dhunës.

Ndaj na nevojitet ndihma e partnerëve dhe miqve tanë ndërkombëtarë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian, NATO-s, Mbretërisë së Bashkuar e kështu me radhë,” – u shpreh kryeministri i Kosovës.

Tensionet në Kosovë sipas Kurtit, nuk janë gjë tjetër veçse sfida e hapur e Vladimir Putin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Putini është i obsesionuar me Kosovën dhe këtë e lidh me vitin 1999 dhe intervenimin e NATO-s. Ai është tepër i indinjuar që Kosova është shembull suksesi i intervenimit të NATO-s, i shtetndërtimit demokratik dhe i zhvillimit ekonomik, ndërkaq ai është shumë i lumtur që ndërhyrja perëndimore në Afganistan dhe në Irak nuk doli aq e suksesshme.

Dhe këtu Kosova e bën kontrastin e madh, pra ai do të donte që edhe Kosova të dështojë sikurse Iraku dhe Afganistani. Mirëpo Kosova është shtet i pavarur, i cili nuk zmbrapset e as nuk i nënshtrohet Serbisë si një regjim klient i Moskës dhe Kremlinit,” – u shpreh Kurti.

Destabilizimi i Ballkanit Perëndimor, sipas kryeministrit të Kosovës është e vetmja mënyrë që Rusia të shmangë krizën e saj të brendshme.