Policia e Durrësit, ka kryer kontrolle të shtuara në vijën bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike, për pushuesit, teksa ka finalizuar operacionin policor të koduar “Plazh i lirë”.
Në kuadër të këtij operacioni janë liruar hapësira në vijën bregdetare, në zonën e Porto Romanos si dhe janë proceduar penalisht 4 administratorë subjektesh që kishin zënë hapësirën publike me shezlongë dhe çadra, të vendosura pa lejen përkatëse.
Gjithashtu janë sekuestruar 836 shezlongë dhe çadra.
Policia e Shtetit njoftoi sot se, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, në zbatim të planit të masave të hartuara, të prezantuara dhe të monitoruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Shtetit, për prani të shtuar të shërbimeve në plazhe, me qëllim përmbushjen e objektivit madhor, mbarëvajtjen e sezonit turistik 2023, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Plazh i lirë”.
Si rezultat i kontrolleve dhe i verifikimeve të kryera në bashkëpunim me Policinë Bashkiake të Durrësit, u bë lirimi i hapësirës publike në vijën bregdetare të Porto Romanos, si dhe heqja dhe sekuestrimi i 836 shezlongëve dhe çadrave që ishin vendosur pa lejen përkatëse.
Në vijim të veprimeve procedurale për këto raste, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit: A. Z., 43 vjeç, pasi kishte vendosur 88 shezlongë dhe 16 çadra, pa lejen përkatëse; F. E., 47 vjeç, pasi kishte vendosur 152 shezlongë dhe 66 çadra, pa lejen përkatëse; Gj. B., 55 vjeç, pasi kishte vendosur 40 shezlongë dhe 20 çadra, pa lejen përkatëse; L. B., 53 vjeç, pasi kishte vendosur 300 shezlongë dhe 150 çadra, pa lejen përkatëse.
Plani operacional “Plazh i lirë”, vijon.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Pushtim toke”.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë pronarët dhe menaxherët e lokaleve dhe hoteleve, që të mos zënë pa autorizim, hapësirat publike në plazhe, pasi do të përballen me sanksione. Në këtë kuadër ftojmë pushuesit që nëse hasin një shkelje të tillë, ta denoncojnë atë, në Komisariatin Dixhital ose në numrin pa pagesë 112.
Policia e Shtetit thekson se, është e angazhuar maksimalisht për të parandaluar dhe për të goditur paligjshmëritë, si dhe për të krijuar një ambient sa më të sigurtë për pushuesit, vizitorët dhe turistët, përgjatë gjithë sezonit turistik.