Kryeministri hungarez Viktor Orban është lideri më i fundit që i kërkon presidentit serb Aleksandër Vuçiç t`i thërrasë arsyes e të lirojë tre policët e arrestuar të Kosovës, edhe për këtë apel pretendon se e bën në të mirë të Serbisë.

“Me respekt, ju lutem i dashur Aleksandër që ta mendoni mirë këtë. Armiqtë e Serbisë janë të etur për të dëmtuar vendin tuaj dhe kjo është një situatë në të cilën mendoj se do të ishte më mirë që ju të dëgjoni rekomandimin e Hungarisë për t’i kthyer ata në Kosovë”, është shprehur Orban.

Ai shtoi se kjo lëvizje do ta ndihmonte Beogradin në kauzën e tij. “Prandaj, po ju kërkoj që ta mendoni edhe një herë këtë gjë”, shtoi ai. Serbia ende nuk ka dhënë asnjë shenjë se ka ndërmend t`i lirojë tre policët kufitarë të Kosovës të arrestuar nfa forcat serbe në 14 qershor. Serbia pretendon se ata u ndaluan thellë brenda territorit të saj, ndërsa Prishtina Insiston se ishin duke patrulluar në territorin e Kosovës, pranë vijës kufitare me Serbinë në Leposavic. Policëve u është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji dhe po mbahen në një burg në Kralevë. Sipas autoriteteve serbe, ata dyshohet të kenë kryer veprat penale: prodhim, zotërim dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse, shkelje këto që mund të dënohen me deri në 12 vjet burg.