Një histori e rrallë dhe e pazakontë vjen nga qyteti i Kukësit. Një burrë, sot 57 vjeç, 21 vite më parë, në moshën 36-vjeçare ka arritur të regjistrojë si vajzën e tij, një fëmijë që nuk ekzistonte. Nuk është mjaftuar me kaq. Fëmijën e pretenduar që askush nuk e kishte sjellë në jetë, por që e regjistroi në certifikatë familjare si të tijën, në vitin 2021, burri e shpalli të vdekur, dhe e çregjistroi nga gjendja civile.

Por përse i duhej të mashtronte sikur kishte një fëmijë?
Sopaj “krijoi” vajzën imagjinare në vitin 2002, kur ndërkohë bashkëshortja e tij kishte sjellë në jetë 2 fëmijë në 98-ën dhe në vitin 2000. Për të përfituar ndihmë më të lartë ekonomike nga shteti, sipas ligjit të kohës, familja duhej të kishte 3 fëmijë. Policisë së Kukësit iu desh disa muaj të hetojë me metoda speciale, për të zbuluar se Xhevit Sopaj kishte falsifikuar ndër vite dokumentet.

“Nga veprimet hetimore rezulton se 57-vjeçari e ka kryer këtë veprimtari kriminale, për të përfituar pension më të lartë, bazuar në ligjin e kohës”, njofton policia. Në 2004-ën dhe 2007-ën zoti e bekoi këtë familje me 2 fëmijë të tjerë.

Megjithatë, Xhevit Sopaj vijonte të kishte të regjistruar në trungun e familjes, edhe vajzën inekzistente të cilës i kishin vënë emrin Ariola, deri kur fëmija që ekzistonte vetëm në letra, u bë 18 vjeç. Ky është limiti i moshës kur prindërit përfitojnë ndihmë nga shtetit. Kështu, në vitin 2021, në moshën 19-vjeçare, duke mos ndjerë më përfitime nga vajza e regjistruar vetëm në gjendje civile, Xh.Sopaj e shpalli të vdekur, për të fshirë çdo gjurmë të saj nga certifikata familjare.

Hetuesit kanë dyshime se në gjithë këtë veprimtari kriminale, 57-vjeçari të mos ketë qenë i vetëm. Ndaj po hetojnë për shpërdorim detyre, një mjek që mund të ketë bërë certifikatë false lindjeje, dhe administratorin e një agjencie funerale, që mund të ketë bërë certifikatën false të vdekjes. 57-vjeçari nga Kukësi do të hetohet nga Prokuroria për 2 vepra penale “mashtrimi” dhe “falsifikimi i vulave dhe stampave dhe formularëve”.