Vrasja tragjike e babë e bir në Dukagjin, ka tronditur opinionin publik në Shkodër. Babë e bir, Gjokë Gurra dhe Eduard Gurra janë ekzekutuar për vdekje nga persona ende të paidentifikuar. Report Tv mëson se babë e bir janë zënë në pritë në shtëpinë e tyre në Dukagjin, ndërsa prej vitesh jetonin në qytetin e Shkodrës. Gjokë Gurra ishte kryeplak i fshatit Bruçaj.
Ngjarja ka ndodhur tek një kthesë e padukshme në një zonë të pyllëzuar, afro 500 metër pa mbërritur tek banesa e djegur e Gjokë dhe Eduart Gurrës. Autorët i kanë zënë prit pasi kanë pasur informacionin e saktë se dy viktimat po shkonin drejt banesës së tyre të djegur dhe aty nga distanca i kanë qëlluar me breshëri plumbash automatiku duke bërë që të humbin jetën në mënyrë të menjëhershme.
Pasi janë siguruar se Gjokë Gurra dhe Eduart Gurra kanë ndërruar jetë, autorët janë larguar në drejtim të paditur
Një zjarrëvënie e qëllimshme e shtëpisë së tyre në Dukagjin, ka bërë që Gjokë Gurra, 57 vjeç dhe Eduard Gurra, 31 vjeç, të shkojnë në vendin e origjinës së tyre për të parë dëmet e shkaktuara. Persona ende të paidentifikuar i kanë vënë flakën shtëpisë, ndërsa duket si një skenar i përgatitur për t’i zënë në pritë babë e bir.
Grupi hetimor, ka mbërritur mbrëmë rreth orës 20:00 në vendin e ngjarjes dhe mësohet se ndodhen ende në zonë me qëllim marrjen e informacioneve për zbardhjen e kësaj ngjarje të rendë.