Modelja Emina Çunmulaj ka rrëfyer periudhën e vështirë kur u largua nga familja për të ndjekur ëndrrën për t’u bërë modele. E ftuar në podcastin e Ramës, modelja tregoi se në moshën 15-vjeçares jetonte e vetme në Itali dhe nuk kishte bukë të hante.
Ajo sot ju jep një mesazh të gjithë të rinjve që të mos dorëzohen, por vetëm me shumë përkushtim dhe duke luftuar mund t’i arrijnë ëndrrat e tyre. Modelja shqiptare thotë se shpesh atë e shohin duke reklamuar jetën e luksit në rrjetet sociale, por të rinjve u thotë që të mos gënjen nga ai realitet, pasi është vetëm ajo çfarë shfaqet, por jeta të përball me shumë vështirësi.
Pjesë nga biseda
Kryeministri Edi Rama: Unë mendoj që jemi në një tjetër pozitë sot komplet. Nuk ka më për shembull sot në Itali paragjykime për shqiptarët, përkundrazi sot ka respekt sepse janë imponuar. Po edhe në Greqi mund të ketë raste por ka respekt se janë imponuar. Madje nuk i sheh më njeri si një popull tjetër, por i shohin si pjesë e vetes. Po edhe në Gjermani përkundrazi, kështu që në këtë aspekt është bërë një kapërcim i madh. Nga ana tjetër, Shqipëria vetë, duke ndryshuar në mënyrë drastike siç e the po bëhet destinacion turistik i hatashëm dhe këtë vit, imagjino kur ne kemi filluar politikën me dashuri nga ana jonë, aeroporti i Rinasit kishte 300 mijë pasagjerë. Sivjet ne parashikojmë 6.5 milionë, ata të aeroportit thonë 7 milionë. Dhe praktikisht Tirana sot është e mbushur me turistë të huaj nga të gjitha anët, restorantet, kafet edhe jugu kështu që është një situatë tjetër. Megjithatë jam shumë dakord që ka shumë e shumë për të bërë, por mendoj që ti je njeriu i duhur sepse je edhe nga brenda gjithë suksesit në botën e modës, në botën e së bukurës, në rritje sociale edhe nga jashtë për shkak të personit që je dhe të njeriut që nuk i mjafton jeta me të sipërfaqshmen, po e quajmë por jeton shumë me brendinë. Çfarë do t’i thoshe vajzave të bukura, të vogla që sot natyrshëm janë të dhëna, janë të tërhequra shumë nga bota e rrjeteve sociale, nga bota e shfaqjes së bukurisë etj.
Emina Çunmulaj: Është një gjë e vështirë ta them, ta them në dy-tri fjali se unë i shoh vajzat e mia edhe mendoj se si do të jetë e ardhmja nga ndikimi i rrjeteve sociale dhe ajo që nuk është reale sepse ndoshta njerëzit mendojnë që e njohin Eminën Çunmulaj, por e njohin vetëm në atë përqindjen që tregoj në rrjetet sociale dhe ajo nuk është e tëra. Nuk është e vërteta. This is the truth. Ju e shihni aq sa dorëzoj unë të shihni. Ashtu janë edhe të gjithë njerëzit e tjerë në rrjetet sociale. Kështu qe një vajzë 14, 15, 18-vjeçare që sheh Emina Çunmulaj dhe sheh Eminën në aeroplan privat, një jaht, një jetë luksoze, po t’i ketë ajo 5 minutat e kohës, të vijë e të rrijë me mua dhe t’ia tregojë jetën si e kam pasur unë, se si kam kaluar prej thuajse moshës 13-vjeçare deri në moshën 18-vjeçare kur i fitova 10 mijë eurot e parë.
Unë s’kam pasur bukë të ha kur kam qenë në Itali, në apartament me modele. Kjo është diçka që ndoshta s’ia kam treguar dikujt në jetë sepse janë vështirësitë e mia dhe të rrinë me mua. Ma bëjnë karakterin që ndoshta ti po thua, si jeton duke luftuar se jeta ime është gjithmonë në kokën time një luftë. Edhe vazhdon në mënyra të tjera, por se lufto për ato që mendon dhe për të cilin je në jetën tënde, ajo që të vjen kollaj në jetë, edhe të hiqet kollaj. Vetë bukë s’kam pasur të ha kur kam qenë 15 vjeç në Itali e më telefononte babai e më thoshte, “si je, bija ime?’’
-Mirë- i thosha- babë. Gjithçka në rregull. Shkoja të flija, barku më dhimbtë. Shkoja të flija e çohesha natën. Më kishin dhënë 200 lira në atë kohë për t’i harxhuar për tre javë ditë, për të marrë metronë, për të ngrënë dhe për shkuar për të kërkuar punë si modele.
Por ka ardhur koha që të gjithë ato “luftëra”, everything pays back. Vetëm përkushtim, përkushtim, përkushtim, lufto. Mendimi im për t’u kthyer në fshat më mbyste. Të kthehesha vetë prapa nga një vend që ika, që doja një jetë më të mirë për veten, nuk me lejonte kurrsesi të dorëzohesha, pastaj vajti puna edhe pak “luck” si i thonë amerikanët edhe jeta vazhdon edhe të gjitha të mirat dalëngadalë vijnë dhe sot jemi ku jemi.