Finalizohet pas disa javësh hetime proaktive, operacioni policor i koduar “Tushemishti”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje.

Hodhi nga automjeti, armën e zjarrit pistoletë që mbante në brez, kur pa shërbimet e Policisë, arrestohet në flagrancë 21-vjeçari Enes Shaho.

NJOFTIMI I POLICISE

Sekuestrohen arma e zjarrit pistoletë me 6 fishekë në karikator, një shkop hekuri dhe një thikë, që i posedonte 21-vjeçari i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje dhe për kanosje.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e rasteve të mbajtjes së armëve, pa lejet përkatëse, bazuar dhe në inteligjencën informative për një shtetas që qarkullonte i armatosur, në Pogradec, kanë organizuar punën për kapjen e tij. Në kuadër të operacionit policor të koduar “Tushemishti” u arrestua në flagrancë shtetasi:

-E. Sh., 21 vjeç, banues në Pogradec, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje dhe për kanosje.

Gjatë operacionit, në vendin e quajtur “Ura e Tushemishtit”, Pogradec, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar automjetin në të cilin shtetasi E. Sh. po udhëtonte si pasagjer dhe i kanë bërë me shenjë të ndalonte. 21-vjeçari, sapo ka konstatuar shërbimet e Policisë, me qëllim që të shmangte përgjegjësinë penale, ka hedhur në drejtim të lumit, armën e zjarrit pistoletë që mbante në brez.

Shërbimet e Policisë kanë gjetur në lumë, armën e zjarrit pistoletë me 6 fishekë në karikator, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me një shkop hekuri, një thikë dhe një celular që u gjetën në çantën e 21-vjeçarit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.