Para provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë ministrja e Arsimit është përpjekur te qetësojë maturantët dhe prindërit. Evis Kushi flet për masa të shtuara për mbarëvajtjen e procesit, ndërsa mohon që dalja e tezës në provimin e parë të ketë cënuar Maturën Shtetërore.

Ministrja Kushi deklaroi se nuk janë identifikuar autorët e nxjerrjes së tezës së anglishtes 30 minuta nga nisja e provimit. Por nuk përjashtoi mundësinë që ky akt të jetë kryer nga të njëjtët persona çdo vit, të nxitur edhe politikisht.

Tashmë është bërë e zakonshme xhiroja e përvitshme e teste vetë maturantes në rrjetet sociale, gjatë kohës që nxënësit janë në provim. Edhe pse nuk pranoi dështimin e këtij procesi, ministrja Kushi foli për një rikthim të mundshëm të konkurseve për pranimet në universitete.

Të mërkurën e 7 qershorit është provimi i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, ndërsa pas një javë ai i Matematikës dhe më 19 qershor provimi i lëndës me zgjedhje. Këtë vit vetëm dega e mjekësisë do të pilotojë konkursin elektronik, pas përfundimit të provimeve të maturës.