Gjirokastra është kthyer në kryeqytetin e kulturës shqiptare, pasi ka nisur Festivali Folklorik Kombëtar, që pritet të zgjasë një javë ku do të performojnë 1200 artistë. Zv.ministrja e Kulturës Meri Kumbe në një intervistë për Report Tv, u shpreh se në qytetin e Gjirokastrës gjatë këtij festivali do të performojnë artistë jo vetëm nga të gjitha qarqet e vendit, por edhe nga trevat të tjera shqipfolëse. Sipas Kumbes, festivali është një festë që do të bashkojë të gjithë shqiptarët anë e mbanë botës. Festivali, thekson më tej Kumbe, ka shtuar ndjeshëm numrin e turistëve.

‘Gjirokastra e vërtetë këto ditë është magjike. Rikthehet pas 8 viteve për shkak të pandemisë, pasi ishte planifikuar të zhvillohej në vitin 2020. Jemi në Gjirokastër plot me artistë dhe plot ngjyra. Numri i artistëve që do të performojnë është 1200 dhe do të zgjasë deri më 1 korrik. Janë 8 net ku vijnë të gjitha qarqet e Shqipërisë, por kemi të ftuar nga të gjitha trevat shqiptare. Është një festë që ka bërë bashkë shqiptarët anë e mbanë botës dhe do të performojnë të gjithë në Gjirokastër. Festivali ka shtuar numrin e turistëve në të gjithë zonën. Motivi i këtij viti kanë qenë artizanët.’- tha zv.ministrja.

Kumbe theksoi me tej se risia e këtij sezoni është se ka shumë të rinj që do të performojnë në skenë, ndërsa në orët e vona të mbrëmjes, do të ketë performanca kushtuar të rinjve.

‘Risia është se ka shumë të rinj në skenë. Dhe natën e fundit do të performojnë 40 fëmijë pjesëmarrës në festival. Aktivitetet në orët e vona të mbrëmjes jemi përpjekur që t’ua kushtojmë të rinjve, në mënyrë që edhe të rinjtë të gjejnë veten.’- tha Kumbe.

Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës 2023, ngjarja që bën bashkë ngjyrat e bukura të folklorit shqiptar, do të mbahet për 8 net në kalanë e Gjirokastrës në një skenë të hapur për të gjithë dhe do të aksesohet falas.