Gjykata e Posaçme ka lënë në burg ish-kryebashkiakun e Kukësit, Safet Gjici. Për 40-vjeçaren Alma Kaçi gjykata la në fuqi masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

Të dy, si Gjici dhe Kaçi ishin të pranishëm në sallën e gjyqit. Por siç duket nga kjo foto, ish-kryebashkiaku i Kukësit ndodhej në kafazin e xhamtë ndërsa Kaçi në bankën e të dyshuarve e shoqëruar nga avokatja e saj.

40-vjeçarja Kaçi, si në mbërritje ashtu edhe në dalje zgjodhi që ta mbulonte fytyrën e saj (Lexo më shumë).
Alma Kaçi mbulon fytyrën në gjykatë
Hetimet për Gjicin nisën disa ditë më parë, pas publikimit në rrjetet sociale të një video me përmbajtje erotike, ku ish-kryebashkiaku kryente marrëdhënie intime me shtetasen Alma Kaçi.

Pas aktit seksual, ata diskutojnë në zyrë për një projekt që do të financohej nga bashkia për izolimin e qenve endacakë në Kukës. Menjëherë më pas, Gjici thërret në zyrë një vartësin e tij që të merret me dokumentacionin që do dorëzojë shtetasja Alma Kaçi.

Safet Gjici dhe Alma Kaci
Prokuroria kreu një sërë verifikimesh për rastin, duke ngritur në përfundim akuzat e korrupsionit për të dy të hetuarit.

51-vjeçari Safet Gjici akuzohet për veprën penale të “korrupsionit pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” neni 260 i Kodit Penal ku nëse do provohet akuza ai mund të dënohet me burgim nga katër deri në dymbëdhjetë vjet.

40-vjeçarja Alma Kaçi akuzohet për veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë “ neni 245 i Kodit Penal ku nëse do provohet akuza ajo mund të dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

Safet Gjici
Neni 245

Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë

(Ndryshuar me ligjin nr. 9275, datë 16.9.2004; shfuqizuar pjesa që parashikon edhe dënimin me gjobë, si dënim kryesor, krahas dënimit me burgim, me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013) Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt, funksionarëve të lartë shtetërorë ose të të zgjedhurve vendorë, për vete ose për persona të tjerë për të kryer ose mos kryer një veprim, që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohen me burgim nga një deri në pesë vjet

Neni 260

Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë

(Ndryshuar me ligjin nr. 9275, datë 16.9.2004; shfuqizuar pjesa që parashikon edhe dënimin me gjobë, si dënim kryesor, krahas dënimit me burgim, me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013) Kërkimi ose marrja, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt apo i një premtimi të tillë, për vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte a premtimi që vjen nga përfitimi i parregullt, nga funksionari i lartë shtetëror ose i zgjedhuri vendor, për të kryer ose mos kryer një veprim që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohet me burgim nga katër deri në dymbëdhjetë vjet.