Erling Haland po pushton botën e futbollit me një shpejtësi marramendëse, por kjo nuk i ka penguar autoritetet norvegjeze që t’i bllokojnë regjistrimin e markës së emrit të tij. Autori i 52 golave për Sitin këtë sezon, ka bërë tri kërkesa në Zyrën e Të Drejtës së Autorit në Norvegji për të regjistruar 3 marka sipas portalit norvegjez “VG”.
E para, ishte kërkimi i të drejtës së autorit për firmën e tij, e dyta ishte e drejta e autorit të festës së golave duke bërë joga dhe e treta ishte kthimi në një markë i emrit të tij “Erling Haland”. Por ndërsa dy të parat i janë pranuar, çuditërisht nuk i është pranuar ajo që në dukje është më e thjeshta, emri i tij. Knut Andreas Bostad, shefi i seksionit në Departamentit e të Drejtave të Autorit në Norvegji, shpjegoi arsyen përse sulmuesi 22-vjeçar nuk mund të regjistrojë emrin e tij, pasi ai është në pronësi të një burri 29-vjeçar nga Oslo.
“Ne kemi një aplikim për emrin Haland që na ka mbërritur në 8 shtator 2022 dhe ata kanë aplikuar për ta përdorur atë në rroba, këpucë dhe një numër sendesh të tjera”, shpjegoi Bostad. Tani Haland ka 3 mundësi: ta përdorë emrin pa leje dhe dërgojë betejën në gjykatë ndaj pronarit aktual, së dyti të paguajë pronarin aktual për konsensus përdorimi dhe së treti, ta blejë emrin e tij nga pronari origjinal.