Ish kreu i shtetit paditi Autoritetin e Dosjes pasi i publikuan një dosje ku akuzohej si pjesë e ish Sigurimit të Shtetit.

Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Tiranës të 9 dhjetorit, që vendosi të niste hetimet për Autoritetin e Dosjes të paditur nga Meta. Gjykata e Tiranës e vuri theksin në vendimin e saj në faktin se pas regjistrimit të procedimit penal, organi i akuzës duhet të marrë në pyetje Filip Talon, personin që është kallëzuar nga I. M në ish sigurimin e shtetit. Gjithashtu Gjykata urdhëroi prokurorinë që të administrojë të gjithë praktikën administrative të ndjekur nga AIDSSH që nga momenti i vënies në dijeni/marrjes të e-mail anonim dhe në vijim. Gjykata kërkon edhe marren në pyetje të të gjithë anëtarëve të Autoritetit të Dosjeve.

Pse e paditi Meta Autoritetin e Dosjeve:
Ish-kreu i shtetit Ilir Meta kallëzoi penalisht për Gentiana Sulën, Albert Nikollën, Altin Hoxhën, Gjergj Markun dhe Skënder Vrionin me pretendimin se kanë falsifikuar dokumentet shtetërore, kanë bërë falsifikim kompjuterik, kanë falsifikuar vulat, stampat apo formularët, kanë shpërdoruar detyrën, kanë përhapur informata të rreme që ngjallin panik si dhe kanë zbuluar akte ose të dhëna sekrete.

Në kallëzimin drejtuar SPAK dhe prokurorisë së Tiranës, Meta kërkonte që të bëhet hetim i plotë, objektiv dhe i pavarur brenda një afati sa më të shpejtë.

Kjo përplasje e Metës me autoritetin e Dosjeve lindi pasi ky i fundit kishte depozituar një shkresë në Kuvend ku theksonte se ish presidenti dyshohej si spiun i ish sigurimit të shtetit.