Këtë të enjte në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” u inaugurua kompania e njohur e fluturimeve lowcost Ryanair. Me këtë rast u mbajt një ceremoni simbolike në ambientet e aeroportit ku foli edhe kryeministri i vendit, Edi Rama. Ai e konsideron ardhjen e Ryanair si një vulë të rëndësishme për imazhin e Shqipërisë turistike.
“Për këtë arsye jam sot këtu sepse ardhja e Ryanair me 18 destinacione nga Tirana nëpër Europë tregon që ne kemi marrë një vulë të rëndësishme e cila vjen pas një përpjekje të gjatë për të ndryshuar katërcipërisht jo vetëm imazhin e Shqipërisë, e cila sot është në të gjitha mediat ndërkombëtare si vendi që duhet vizituar, por për të ndryshuar shumë gjëra që lidhen pikërisht pastaj me krijimin e këtij imazhi. Se Shqipëria e ka pasur detin po kaq të bukur edhe 10 vite më parë. Ka pasur diellin po kaq me shkëlqim edhe 10 vite më parë. Por për fat të keq nuk ka pasur asgjë tjetër për të mundësuar që të gjithë nga të katër anët e botës të mund të vijnë në Shqipëri”, tha Rama.
Sipas kreut të qeverisë edhe Aeroporti i Tiranës është një histori suksesi. Sipas tij, falë investimeve nga kompania shqiptare janë transformuar hapësirat.
“Aeroporti është ende një qenie në zhvillim dhe jam i bindur që shumë shpejt do të lindë nevoja për të tjera hapësira dhe fasilitete plus zgjidhja e problemit kronik të parkimeve është tanimë në rrugë ashtu sikundër që investimi i madh që kompania po përpiqet të bëjë për energjinë diellore është një tjetër lajm jashtëzakonisht pozitiv. Aeroporti i Tiranës është sipas të dhënave të aviacionit europian aeroporti i vetëm në Europë që i ka tejkaluar 100% e rekuperimit pas pandemisë”, tha kreu i qeverisë.
Rama u shpreh se projeksioni i qeverisë është që numri i pasagjerëve në Rinas këtë vit të jetë 6.5 milionë. Sipas drejtorit ekzekutiv të Ryanair pritet që kjo kompani të kryejë 200 fluturime në javë dhe do të transportojë të paktën 2 milionë pasagjerë vetëm gjatë vitit të parë.