Kabineti i kryeministres italiane Giorgia Meloni ka miratuar një reformë në drejtësi që synon forcimin e të drejtave të të pandehurve, masa të mbrojtura prej kohësh nga ish-Kryeministri Silvio Berlusconi.
Reforma frenon përdorimin e përgjimeve, ndërlikon procedurat për miratimin e urdhëarresteve si dhe shpërdorimi i detyrës nuk do të jetë më një krim. Kjo është e fundit mes një sërë reformash të miratuara për të ristrukturuar sistemin e drejtësisë në Itali. Projektligji tani do të shkojë në parlament për diskutim dhe miratim.
Disa gjyqtarë dhe prokurorë ka deklaruar se kjo do ta bëjë më të vështirë hetimin e krimeve dhe dënimin e kriminelëve, ndërsa qeveria këmbëngul se kjo reformë do të frenojë abuzimet e prokurorëve. Një draft i reformës citon të dhëna që tregojnë se në vitin 2021, 4745 persona janë hetuar për shpërdorim detyre, ndërsa ka vetëm 18 prej tyre janë dënuar.
Gjyqtarët gjithashtu nuk do të jenë më në gjendje të urdhërojnë arrestimin e të dyshuarve pa i pyetur më parë ata. Për më tepër, urdhërarrestet në të ardhmen duhet të nënshkruhen nga një panel prej tre gjyqtarësh pasi më parë kjo procedurë bëhej vetëm nga një gjyqtar. Reforma gjithashtu ashpërson rregullat për përgjimin, një çështje e debatuar shumë në Itali duke frenuar përdorimin e tyre në seanca që përfshijnë njerëz që nuk janë nën hetim të drejtpërdrejtë.
Giuseppe Santalucia, presidenti i Shoqatës së Magjistratëve të Italisë, bëri të ditur se fakti që shpërdorimi i detyrës nuk do të jetë më një krim do të krijonte një boshllëk të pajustifikueshëm. Nga ana tjetër nëse tre gjyqtarë vendosin për urdhrat e arrestit do të krijojë probleme organizative për shkak të mungesës së personelit.