Fundi i kampionateve të futbollit i ka lënë vendin Kombëtareve dhe përveç kualifikuese për Europianin apo edhe Kupat e tjera, do të ketë edhe shumë ndeshje miqësore. Mesi i qershorit do të jetë i mbushur me ndeshje ndërkombëtare dhe dy miqësore luan edhe Korea e Jugut.
Skuadra e drejtuar nga Jurgen Klinsman do të përballet në datën 16 qershor ndaj Perusë dhe në datën 20 kunder El Salvador, që të dyja këto janë ndeshje miqësore. Në prag të këtyre takimeve, tekniku gjerman ka publikuar listën me futbollistët e grumbulluar dhe një mungesë e madhe për të, është ajo e mbrojtësit Min-jae Kim i cili fitoi titullin kampion me Napolin këtë sezon. Paraqitjet me Napolin kanë bërë që shumë skuadra në Europë të vihen pas tij duke kërkuar që ta kenë në skuadër.
Mbrojtësi nuk mund të jetë me skuadrën për shkak të detyrimit ushtarak që ka. Ai duhet që të shkojë me ushtrinë e vendit të tij për një periudhë 3 javore, duke qenë se sportistët dhe personat që kanë fituar trofe ndërkombëtarë që njihen nga legjislacioni vendas, kanë përfitime dhe lehtësi në kryerjen e ushtrisë. Në total, duhet të bëhen 21 muaj megjithatë, Kim mund të kalojë vetëm 21 ditë ushtri ashtu si Heung Min Son para disa kohësh.