“Kalendari Kombëtar Turistik” tashmë është një aplikacion që mund të aksesohet për të gjithë Shqipërinë.
Ky aplikacion është prezantuar këtë të premte nga kryeministri Edi Rama, i cili është shprehur se ky kalendar është finalizuar pas një pune të gjatë prej vitesh dhe u mundëson turistëve nga e gjithë bota ta njohin vendin tonë në të gjitha drejtimet. Kreu i qeverisë theksoi po ashtu se një tjetër program është në fazën fillestare, ai i zhvillimit të artit në hapësirën publike.
“Kalendari Kulturor dhe Artistik është një punë e filluar prej vitesh bashkë me Mirelën, dhe sot është në një fazë të re, por në zhvillim të vazhdueshëm sepse e besojmë shumë që Shqipëria turistike është përtej ujërave të mrekullueshëm të detit, përtej majave magjike të maleve, përtej luginave e bukurive natyrore në terësi dhe arsyet për ta vizituar janë shumë më tepër se sa kaq. Bashkimi në ofertën tonë turistike i trashëgëmisë kulturore, artit, gatimit, aktiviteteve më bashkohore janë një mundësi e jashtëzakonshme për të rritur kapacitetin që Shqipëria ka në thithjen e turistëve nga e gjithë bota dhe faktikisht ky kalendar me këtë aplikacion bëhet terësisht i aksesueshëm.
Çdokush informohet në kohë reale, sipas vendndodhjes për çdo mundësi që ka në një perimetër të caktuar për të aksesuar teatër, koncerte, festa, muzeume e të tjera me radhë. Nga ana tjetër ne po punojmë edhe për prekjen fizike në territor të një Shqipërie turistike që shfaqet me të gjitha shqisat e saj duke zhvilluar një program të ri për artin në hapësirën publike, që është ende në embrion, por hap pas hapi do jetë një vlerë e shtuar. Ky aplikacion është pasqyre e një pune në gjithë territorin e vendit, e gjitha tanimë mblidhet në një vend dhe publikohet dhe njëkohësisht vihet në dispozicion të kujtdo nëpërmjet ndërveprimit me të gjitha institucionet, gjë që ka nisur ta bëjë Agjencia Kombëtare e Turizmit.”- tha Rama.