Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço ka hedhur më shumë dritë mbi aktivitetin e muxhahedinëve të strehuar në Manëz të Durrësit.

Karamuço tha se kampi nuk është i organizuar në formën humanitare, pasi sipas tij, është një repart ushtarak i drejtuar nga kupolë prej 6-7 personash.

Eksperti deklaroi se kupola nuk mban takime në kamp, por në një banesë jashtë kampit, e cila është në pronësi të një ish-profesori të Tiranës.

“Kampi nuk ka refugjat dhe nuk është i organizuar në formën e tij humanitare. Është një repart ushtarak, i drejtuar nga një kupolë.

Kjo kupolë ka edhe disa persona që nuk duan të shfaqin identitetin. Disa prej këtyre që Policia do t’i mbajë në survejim, takimet e tyre nuk i bëjnë në kamp, por në një shtëpi në zonë, që është në pronari të një ish-profesori të Tiranës.

Ky ish-profesori që është shprehur se e ka lënë me qira dhe nuk e di se çfarë bëhet në shtëpinë e tij, më parë është hetuar për trafik organesh. Kjo kupola dëshiron që të na fusë në luftë me Iranin”, tha Karamuço.