Policia e Shtetit mëngjesin e kësaj të marte me urdhër nga SPAK kanë zhvilluar kontrolle në brendësi të kampit Ashraf 3 në Manëz ku dyshohej për ngritjen e një qendre të paligjshme.
Gazetari Leonidha Musaj në një raportim për ABC News thekson se një nga pjesëmarrësit në operacionin e kësaj të marten në brendësi të kampit i ka pohuar se banorët i kanë pyetur policinë se pse ky kontroll, dhe kanë pohuar që në fillim se ato kanë një person të vdekur dhe duhet që ti bëjnë ritualet.
“Një burimi im i brendshëm që merrte pjesë në operacion, që në momentet e para që janë futur në ambientet e MEK, banorët i kishin pohuar policisë se kanë një person të pajetë dhe do i kryenin ritet”, ka thënë gazetari.
Ndërkohë në një deklaratë për mediat zëdhënësi i MEK kishte deklaruar për mediat se gjatë tensioneve brenda kampit një person ishte vrarë nga policia shqiptare.
Gjithashtu ministria e Brendshme në një deklaratë për mediat ka konfirmuar tensionet që kanë ndodhur në kampin e MEK në Manëz të Durrësit, por që sipas tyre nuk ka pasur as viktima dhe as të lënduar.