Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh i gatshëm për qetësimin e situatës në veri, teksa paraqiti katër hapa konkretë që Qeveria e vendit të tij është e gatshme t’i ndërmarrë për rikrijim të stabilitetit.

Ai deklaroi se hapat që do të marrin janë ulja e numrit të policëve të Kosovës në veri gradualisht, hetimin e rasteve të dhunës, zgjedhje të parakohshme në katër komunat dhe dorëzimi i detyrës së katër kryetarëve të zgjedhur më parë, pasardhësve që priten të vihen në krye. “Republika e Kosovës është e gatshme të kontribuojë në de-eskalim. Ne besojmë se duhet të ndërmerren veprime urgjente. Më konkretisht, hapat që ne i konsiderojmë të nevojshëm dhe jemi të gatshëm të angazhohemi. Ne dëshirojmë të ritheksojmë angazhimin tonë për një dialog intensiv për një zbatim të plotë”, u shpreh Kurti.

Ndër të tjera, Kurti shtoi se presin edhe nga Serbia që të bëjnë hapa për tërheqje të protestuesve të dhunshëm nga ndërtesat komunale dhe bashkëpunim në përmirësimin e situatës.
Pak ditë më parë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili po ashtu nuk është tërhequr për një kohë të gjatë nga deklaratat e tij për situatën në veri të Kosovës, deklaroi se janë gjithmonë të gatshëm për kompromise.
“Pres shumë situata të vështira për ne në periudhën e ardhshme dhe jam pothuajse i sigurt që perëndimorët do të dalin me një ide gjeniale për të na ofruar ne tekstin e statutit. Prandaj, pres shumë, shumë probleme. Por, kjo nuk është diçka e re”, tha Vuçiç.

Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel e mbështeti idenë e mbajtjes së një konferencën ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë për uljen e tensioneve, propozim i cili u bë nga kryeministri Edi Rama gjatë bisedimeve në Bruksel
“Ne e mbështesim edhe idenë për të organizuar, sa më parë që të jetë e mundur, një konferencë – së bashku me disa shtete anëtare të BE-së. Mendoj se ka ardhur koha të kemi një qasje globale dhe të bëjmë hapa të qartë drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse kemi thënë se duam të përpiqemi maksimalisht për të bërë diçka për Ballkanin Perëndimor, së bashku me Ballkanin Perëndimor”, tha Michel. Por pavarësisht këtyre deklaratave, për të cilat nuk ka veprime konkrete, përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, e bëri të qartë se deklaroi se do të kërkojë nga shtetet anëtare që të bëjnë presion ndaj Kosovës dhe Serbisë, e nëse nuk ka bashkëpunim për uljen e tensioneve do të ketë pasoja.

“Do të kërkoj mbështetjen e tyre për të vazhduar presionin ndaj tyre, në mënyrë që të shmanget përshkallëzimi dhe të kthehet në normalitet. Shtetet anëtare vendosën që duhet të merren masa ekonomikisht dhe politikisht, në mënyrë që t’ua bëjnë të qartë se nëse nuk kontribuojnë në de-përshkallëzimin, kjo ka një kosto”.
Krerët e BE-së janë mbledhur në Bruksel për një takim që në fokus do të ketë procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, situatën e sigurisë në Kosovë dhe procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.