Presidenti rus në një fjalim të shtunën, pas shpërthimit të konfliktit me trupën Wagner, theksoi, se nuk do të lejojë luftë civile në Rusi. Qeveritë perëndimore ndërkohë po i ndjekin me vëmendje zhvillimet në Rusi.

Një një fjalim televiziv të shtunën drejtuar popullit rus, Vladimir Putin ka pranuar bllokadën e objekteve të rëndësishme në qytetin jugor rus, Rostov dhe se situata është e vështirë. Në Rostov gjendet shtabi qendror i ushtrisë ruse për luftën në Ukrainë.

“Faktikisht puna e organeve civile dhe ushtarake është bllokuar”, tha Putin. Ai bëri fjalë për “neutralizimin” e përgjegjësve pas thirrjes për kryengritje të armatosur të rekrutëve të trupës Wagner. Trupat e armatosura kanë marrë urdhrin për “të neutralizuar” ata që kanë organizuar kryengritjen, tha Putin në fjalim të shtunën.

Putin: Nuk do të lejoj një luftë civile

Presidenti rus akuzoi trupat Wagner si “tradhtarë” që do të ndëshkohen pa vonesë. Kryengritja e trupës Wagner është “kërcënim vdekjeprurës” për Rusinë tha presidenti rus, i cili theksoi, se nuk do të lejojë një luftë civile në Rusi. Ai iu drejtua rusëve për unitet dhe e cilësoi thirrjen për kryengritje një “thikë pas shpine” për Rusinë. Putin e akuzoi Prigoshin, që ka qenë një i besuar prej kohësh i Putinit, se për shkak të një ambicie të tejskajshme po tradhton vendin e tij.

Qeveritë europiane po e ndjekin me vëmendje konfliktin e hapur në Rusi. Qeveria gjermane bën të ditur, se po i ndjek me vëmendje të madhe zhvillimet në Moskë. “Ne po e ndjekim shumë vëmendshëm atë që po ndodh në Rusi”, tha zëdhënësi i qeverisë gjermane.

Nga Parisi zyrtar bëhet e ditur, se edhe presidenti Macron po e ndjek me shumë vëmendje gjendjen aktuale në Rusi. Edhe Polonia bën të ditur se po e monitoron situatën në Rusi. Kështu u shpreh presidenti polak, Andrzej Duda.

Ministria britanike e Mbrojtjes në një paralajmërim udhëtimi të aktualizuar bën fjalë për rrezik trazirash në të gjithë Rusinë. “Ka raportime për tensione ushtarake në rajonin Rostov dhe rrezik trazirash në të gjithë vendin.”