Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka reaguar për A2 CNN në lidhje me aksionin policor të së martës në kampin e muxhahedinëve, në Manzë të Durrësit, që u shoqërua me tensione.

“Policia shqiptare na ka siguruar se të gjitha veprimet janë kryer në përputhje me ligjin, duke mbrojtur të drejtat dhe liritë e të gjithë shtetasve që jetojnë në Shqipëri. Ne e mbështesim të drejtën e qeverisë shqiptare për të hetuar çdo aktivitet të mundshëm ilegal brenda territorit të saj”, thotë DASH.

Të martën, forcat e policisë hasën me rezistencën e iranianëve brenda në kamp, ndërsa një prej efektivëve u lëndua dhe mori trajtim mjekësor. Urdhri për kontrolle u lëshua nga gjykata pas dyshimeve për terrorizëm dhe sulme kibernetike. Aksioni, i cili u drejtua nga kreu i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku, hasi në rezistencën e muxhahedinëve, të cilët kundërshtuan forcat blu në zbatimin e ligjit, ndërsa në mbyllje të kontrolleve arritën të largojnë nga kampi efektivët.
Mes tensioneve, muxhahedinët ngritën pretendime se policia ka vrarë një anëtar të komunitetit të tyre, i moshës 68-vjeçare. Anëtarë të MEK i treguan mediave dhe trupin e tij të pajetë që, sipas mjekëve muxhahedinë humbi jetën nga përdorimi i spray-t lotsjellës. Për ngjarjen, mbërritën dhe ekspertë të mjekësisë ligjore, të cilët pritet të përcaktojnë shkakun e vdekjes.