Opozita solli kryeministrin e Kosovës në Kuvend për të raportuar për situatën e krijuar në veri të vendit. Partitë opozitare kërkuan nga kreu i Qeverisë të dinë se cili është synimi i Kosovës me dërgimin e policisë në objektet e komunave në Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok dhe ndëshkimet që i përcollën këto zhvillime.
“Për neve koordinimi me aleatë, …, me ta duhet të shtrojmë sovranitetin në veri, ky dallim është substancial sepse për neve është patriotizëm e jotja çka bën është tradhti”, tha Lumir Abdixhiku, deputet i LDK. Madje, opozita konsideron që për të dalë Kosova nga kjo situatë, duhet të shkarkohet Albin Kurti nga posti i drejtuesit të qeverisë.
“Për këtë arsye ju propozoj këtu pa iu ndarë në parti, të shkojmë në mocion dhe ta ndërpremë mosbesimin deri në pabesi, poshtërimin deri në armiqësi dhe mashtrimin deri në tradhti e ta shkarkojmë qeverinë Kurti”, tha Ramush Haradinaj, deputet i AAK.
Por, vetë Kurti insiston se nuk ka lëkundje të marrëdhënieve me partnerët e sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Kjo kronologji tregon se ka pasur gjithashtu jo vetëm konsultim por edhe bashkërendim me partnerët ndërkombëtar”, tha Kurti. Kurti edhe një herë u shpreh se është i gatshëm të largojë policinë e të shkojë veriu në zgjedhje të jashtëzakonshme, kur të largohen bandat kriminale nga Kosova, por që u kundërshtua nga Partia Demokratike e Kosovës që udhëheqë me dy komuna veriore.
“Ajo që mungonte deri më 25 maj pas betimit të kryetarëve e që po mungon ende është deklarata që në përputhje me procesin që sapo e përmenda të mos pengohet puna e kryetarëve të rinj deri në zgjedhjet e reja”, tha Kurti.
“Mbi të gjitha, pse nuk po tregon se a do të tërhiqesh? A do të tërhiqesh, se dole nga takimi me Borrell dhe paralajmërove zgjedhje të jashtëzakonshme? Po të tregoj diçka, ti zgjedhje të jashtëzakonshme mund të shpresosh me mbajtë, por po të tregoj që për dy komuna, as nuk guxon, as nuk ki të drejtë dhe as nuk guxon me fole”, tha Memli Krasniqi, deputet i PDK. Pa përfunduar diskutimi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti lëshoi seancën. Kurti mes tjerash gjatë seancës ka përmendur edhe emrat e personave që organet e hetuesisë kanë identifikuar e që dyshohen për sulm ndaj policisë, KFOR-it dhe gazetarëve.