Nga Brukseli, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro ka folur për punën e ekipit të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit në kuadër të angazhimit për përmbushjen e direktivave të kapitullit të 27 për integrimin në Bashkim Europian që i kushtohet mjedisit. Ministrja Kumbaro theksoi se Shqipëria ka bërë progres domethënës në fuqizimin e kornizave ligjore dhe rregullatore, në përputhje me ato të Bashkimit Europian.

“Dua të theksoj angazhimin e qeverisë shqiptare për mbrojtjen e mjedisit, i cili reflektohet në përpjekjet tona për të luftuar ndotjen e ajrit, për menaxhimin e qëndrueshëm të mbetjeve dhe për të ruajtur ekosistemin tonë unik. Ne jemi gjithashtu të përkushtuar të ndërmarrim veprime kolektive për të adresuar sfida globale si ndryshimet klimatike, ndotja dhe humbjet në biodiversitet. Shqipëria do të vazhdojë të ketë një rol konstruktiv në iniciativat rajonale dhe të Ballkanit Perëndimor lidhur me mjedisin dhe ndryshimet klimatike”, u shpreh ministrja Kumbaro.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit tha se Shqipëria ka përmirësuar ndjeshëm infrastrukturën e menaxhimit të mbetjeve, ndërsa theksoi punën që po bëhet drejt ekonomisë qarkulluese, ku edhe në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit është krijuar një drejtori e posaçme për këtë qëllim.

“Në vitin 2013 Shqipëria mblidhte vetëm 50% të mbetjeve, ndërsa sot mbledhim më shumë se 90% të vëllimit të mbetjeve urbane, por riciklojmë shumë pak, rreth 15%. Duhet të ndërtojmë modelin e ekonomisë qarkulluese”, u shpreh Kumbaro gjatë fjalës së saj.