Analisti Skënder Minxhozi ka deklaruar në “News Line”, se patriotizmi i panegociueshëm i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit ka dhënë vetëm një efekt, ka radikalizuar situatën me Serbinë.
Ai ka theksuar se kjo ka bërë që Vuçiç të duket një djalë ‘më i mirë’. Sipas Minxhozit, sjellja e ashpër e Kurtit bën që artificialisht të dyja palët të trajtohen njësoj nga Perëndimi dhe ky është një gabim i madh i tij se lëshon terren në favor të serbëve.
“Patriotizmi i panegociueshëm i Albin Kurtit ka dhënë vetëm një efekt, ka radikalizuar situatën, e ka çuar në pikën e vlimit dhe ka bërë që Vuçiç të duket një djalë ‘më i mirë’, sepse dolën dhe disa djem të këqij në Kosovë, të cilët po sillen gjithashtu keq, po sillen ashpër dhe kësisoj arbitrat ndërkombëtarë kanë filluar të vënë një shenjë të padrejtë, ekuivalence dhe barazimi mes të dyja anëve. Ne e dimë mirë, cila palë është agresori ose ish-agresori që vazhdon të ketë një inerci të atij shteti të vjetër të Millosheviçit dhe cila pal është viktima, e cila ka të drejtën në shumicën e rasteve. Sjellja e ashpër e Kurtit bën që artificialisht të dyja palët të trajtohen njësoj nga Perëndimi dhe kjo nuk është e drejtë. Faktikisht ky është një gabim i madh i Kurtit se lëshon terren në favor të serbëve”, u shpreh ai./abcnews.al