Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është i qartë se si mund të vijë zgjidhja e konfliktit të veri të vendit. Së pari, thotë Kurti, serbët do duhet që të ndalin dhunën ndaj institucioneve dhe më pas do mund të ulen në bisedime për të diskutuar deri në zgjedhjet e ardhshme në 4 komunat me shumë serbe.

Këto pika, Kurti i parashtroi edhe gjatë një interviste për BBC Radio.

“Nëse këto ndërtesa nuk janë për kryetarët për kënd duhet të shërbejnë atëherë. Kryetarët janë në zyrat e tyre, dhe kjo është si duhet të jetë dhe të qëndroj. Ne mund të rishikojmë largimin e Policisë së Kosovës nga këto ndërtesa, por së pari bandat e dhunshme kriminale të cilat kanë sulmuar dhe plagosur gazetarët, policinë tonë dhe ushtarët e NATO-s, duhet të kthehen në Serbi ose në burg. Jam i gatshëm të dëgjoj propozimet për zgjedhje të parakohshme, por pasi që të vendoset sundimi i ligjit në vend, tha Kurti.

Duke sqaruar se ka një marrëdhënie të mirë me aleatët, SHBA-BE, kryeministri theksoi se ai nuk mund të bëjë kompromise për Republikën demokratike, Kosovën.“Nuk mund të bëjë kompromise për Republikën demokratike, duke qenë kryeministri i vendit më demokratik në Ballkanin Perëndimor, me policinë më profesionale e cila është e orientuar nga perëndimi. (…)Ne i konsiderojmë SHBA-të, BE-në, Britaninë e Madhe, aleatë dhe miq të pakontestueshëm, dhe u jemi shumë mirënjohës për lirinë dhe pavarësinë tonë dhe për zhvillimin e demkoracisë. Gjithsesi ne nuk mund tua dorëzojmë Republikën tonë, policisë fashiste e cila paguhet nga autokratët në Beograd, i cili dikur ka qenë ministër i propagandës së Millosheviqit”, tha ai.

Mbajtja e zgjedhjeve të reja në veri të vendit ka qenë një nga kërkesat e vetë Bashkimit Europian. Kjo krahas dy kërkesave tjera, që ka të bëjë me pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje dhe nisjen e punës për themelimin e Asociacionit. Kërkesat u bënë me dije nga kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, i cili e bëri të qartë se nëse nuk do të zbatohen atëherë do të ketë pasoja të mëdha për vendet.