Miliarderi i lidhur me Kremlinin, Yevgeny Prigozhin, ka operuar kryesisht nën hije, duke krijuar pasuri përmes kontratave qeveritare në fushën e gastronomisë dhe kontratave të tjera. Por, në muajt e fundit, teksa grupi i tij mercenar, Wagner, ka mbajtur peshën kryesore të luftimeve të ashpra në dhe rreth qytetit lindor të Ukrainës, Bahmut, Prigozhin është vënë në qendër të vëmendjes. Deklarimet e tij të shpeshta e kritikat e ashpra, kanë nxitur disa të spekulojnë se ai ka ambicie politike, që mund të përfshijnë edhe sfidimin e presidentit rus, Vladimir Putin.

Më 9 maj, Prigozhin qëndroi pranë një grumbulli trupash që pretendoi se ishin të luftëtarëve të Wagner-it, dhe tha se autoritetet e larta ushtarake ruse ishin përgjegjëse për vdekjen e tyre nga neglizhenca. Prigozhin shkon keq me shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Valery Gerasimov, dhe ministrine e Mbrojtjes, Sergei Shoigu, një prej këshilltarëve më të afërt të Putinit. Ashtu si Putini, Prigozhin, 61 vjeç, është nga Leningradi dhe falë raporteve personale me presidentit rus, ai ka arritur të ngrihet në pushtet. Ai është quajtur “kuzhinier i Putinit” për shkak të kontratave të fituara me bizneset e tij të gastronomisë. Për herë të parë ishte arrestuar kur ishte adoleshent.

Më 1981 ishte dënuar me 12 vjet burgim për shkak të vjedhjeve të banesave, në bashkëpunim me anëtarë të bandave. Ai vuajti nëntë vjet burg dhe u lirua më 1990, një vit para rënies së Bashkimit Sovjetik. Në një prej kritikave të fundit kundër liderëve ushtarakë rusë, Prigozhin përdori sharje, që shumë thanë se iu drejtuan Putinit, i cili është “komandant suprem” i forcave të armatosura. Prigozhin më pas tha se ajo deklaratë nuk ishte referencë për Putinin, por komentet e tij ngritën pikëpyetje nëse ai në të ardhmen do të shkelë vijat e kuqe të Kremlinit.

Një media sociale e lidhur me Wagner publikoi një video në nëntor 2022 që shfaqte një mercenar që pretendohej se dezertoi në anën ukrainase duke u ekzekutuar me çekiç. Më vonë, Prigozhin i përgëzoi burrat për ndëshkimin e “tradhtarit”. Prigozhin dërgoi një çekiç të lyer me gjak të rremë dhe të paketuar në një kuti violine në Bashkimin Evropian, pikërisht në kohën kur blloku evropian po votonte një rezolutë që e shpalli Rusinë shtet që sponsorizon terrorizmin.