Yevgeny Prigozhin dhe grupi i tij i mercenarëve Wagner ka qenë kryefjala e zhvillimeve të luftës në Ukrainë këtë javë dhe jo vetëm. “Kuzhinieri i Putin” alarmoi Kremlinin këtë fundjavë kur dërgoi trupa të marshonin drejt kryeqytetit rus, duke detyruar autoritetet të rrisnin gatishmërinë maksimalisht.
Për shumë ekspertë ndërkombëtare të sigurisë, kjo lëvizje e Wagner duhet parë me dyshim pasi jo gjithçka është ashtu si duket. Trupat e Wagner u zhvendosën nga jugu i Ukrainës dhe tashmë pjesa më e madhe e tyre ndodhet në Bjellorusi, vend ku nisi dhe ofensiva e Rusisë shkurtin e vitit të kaluar.
Pak ditë më parë, Bjellorusia mori një tjetër hap të rëndësishëm në këtë konflikt, duke pranuar dislokimin e armëve bërthamore taktike të Rusisë, nëse do të kishte një përshkallëzim të situatës. Një fakt tjetër që bën ekspertët të mendojnë edhe më tej është se dhe vetë kreu i Wagner, Prigozhin tashmë ndodhet në Minsk. Avioni i tij u ul në Bjellorusi dhe pak pas tij mbërriti dhe një jet nga Shën Peterburgu.
E gjithë pakënaqësia e Wagner (të paktën ajo që raportohet në media) është fakti që të gjitha grupimet luftuese në Ukrainë, nga 1 korriku do të kalonin nën urdhrat e Ministrisë ruse të Mbrojtjes dhe mercenarët do trajtoheshin si gjithë ushtarët e tjerë rusë, gjë që nuk u kapërdi nga Prigozhin.